Pas ‘kaosit’ që u krijua sot brenda dhe jashtë Parlamentit, ka një reagim nga ana e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali. Teksa shpjegon se sa e hershme është si formë revolte, ajo thekson se mosbindja civile nuk e lejon kurrsesi dhunën.
“Mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar e politik në historinë e njerëzimit. Thelbi i saj i pandryshueshëm, qysh me Sokratin në Greqinë e Lashtë, i cili predikonte vënien në pikëpyetje të së drejtës morale të autoriteteve për një ligj të padrejtë, e deri tek Mahatma Gandi. Ai e gjunjëzoi Perandorinë Britanike, duke u ulur i pari në gjunjë derisa me miliona vetë u ulën pas tij në rrugët e Indisë. Ballë për ballë grykëve të pushkëve të batalioneve të regjimit kolonial. I cili hapte zjarr në trupat e tyre dhe të mosbindurit civilë nuk lëviznin nga vendi, është refuzimi absolut, i dhunës si mjet për imponimin e një të drejte të mohuar. Beteja të tëra epike të njerëzimit për heqjen e skllavërisë, të drejtën e votës për gratë, anullimin e ligjeve raciste, fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut, u furnizuan me energjinë e pandalshme morale dhe rezistencën e hekurt shpirtërore të mosbindjes civile. Mosbindja civile e përjashton kategorikisht ngritjen e dorës për të demonstruar forcë dhe synon krijimin e një kontrasti moral paralizues, mes trupave të protestuesve paqësorë dhe korpusit të një padrejtësie shtetërore të perceptuar si të tillë nga shoqëria. Mosbindja civile mishërohet nga individë që i kundërvihen ligjërimit të një padrejtësie, duke marrë përsipër ta thyejnë paqësisht ligjin e padrejtë dhe duke pranuar paqësisht pasojën personale të shkeljes së atij ligji.”
Në shkrimin e saj në Facebook drejtuar opozitës, kryeparlamentarja shton se ndjen keqardhje për aktet e sotme. Sipas saj, Kuvendit nuk mund t’i imponohen kurrë akte të tilla si e drejtë demokratike.