Kryeministri i Hungarisë, Victor Orban, njoftoi në një konferencë të përbashkët për mediat me homologun shqiptar, Edi Rama, se konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të zhvillohet më 15 tetor.
“Ishte kënaqësi të mirëprisja Kryeministrin Edi Rama sot në Budapest”, shkroi Orban në një postim në “X”. “Jemi të lumtur të shpallim se konferenca e dytë ndërqeveritare me Shqipërinë do të zhvillohet më 15 tetor, duke shënuar kështu edhe çeljen e kapitujve negociues. Ne nuk kemi vetëm fjalë për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, flasim me vepra!”.
Hungaria mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për këtë vit dhe sipas saj përshpejtimi i rrugës së integrimit të shteteve të rajonit tonë është prioritet.
Sipas asaj që ka mësuar A2 CNN, Rama dhe Orban do të nënshkruajnë edhe një marrëveshje në sektorin e Bujqësisë. Rama u rikthye në Budapest pas tre vitesh, pasi në 2021 u hodhën bazat e bashkëpunimit bilateral në ekonomi, shëndetësi dhe arsim.
/a.r