Nga Artur Ajazi
Si mundet të mos kuptojnë, logjikojnë, dhe mendojnë asgjë nga sa u thuhet, por thjesht janë kthyer në krijesa robotike ? Si ka mundësi të mos bëjnë ndryshe asgjë nga sa kanë bërë 20 apo 25 vjet më parë ? Si nuk i thonë vehtes “mjaft”, kur dalin dhe ripërsërisin vetëm citatet e Berishës ? A mundet që një parti politike, si PD-ja që kërkon të rikthehet në pushtet, të vijojë me nxitjen dhe thirrjet për anarshi, kaos, dhe të sulmojë hapur fare SHBA-në nga podiumet e protestave dhe grupimeve që nuk janë gjë tjetër, veçse turma që duan vetëm lirimin e liderit Berisha ? O demokratë e berishistë, o ju që jeni akoma pranë shtabit të kaosit dhe anarshisë, thirrini mëndjes. Nuk i biet “murit me kokë”.
Merrini qetë gjërat, problemet tuaja, merrini qetë opsionet e zgjidhjes së situatave ku ndodheni, mbroni dhe respektoni votuesit tuaj, që nuk mendoj se janë dakort me britmat dhe ulurimat tuaja. O berishistë, thirrini mëndjes se nuk është 1996, 1997, 1998, apo 2005, por jemi në 2024 dhe po kalojmë në 2025. Bota e vendet demokratike nuk mund të tolerojnë dhe afrojnë pranë vehtes, parti marksiste-leniniste, nuk mund të bashkëpunojnë me liderë të gjuhës dhe vijës së ashpër, as SHBA-ja, nuk mund të bëhet aleate me ju, derisa jeni për hakmarrje, rrëmuja, dhe marrje të pushtetit me dhunë.
Vetëm vota e lirë dhe e pavarur, është mjeti i vetëm që të shpie drejt pushtetit, dhe jo zjarri, tritoli, molotovi, sharjet dhe ofendimet për kundërshtarin politik. Shkoni dhe zbrisni në qytete dhe fshatra, gjeni kush ju mbështet, flisni dhe sqaroini ata, pasi janë larguar prej jush, tek ju shohin me makina të shtrenjta dhe veshje firmato.
Shkoni në bazën e partisë, atje nga ku do të merrni votat e zgjedhjeve të reja në 2025, dhe premtoni jo me rrena dhe mashtrime, por me sinqeritet. Thirrini rradakes, se me këto forma bolshevike, ku dilni mes qyteteve dhe ulurisni dhe akuzoni këdo që nuk ju pëlqen, nuk merret pushteti, as vota e shumicës së shqiptarëve. Dilni nga guacka ku ju ka mbyllur lideri juaj Berisha, sepse prej andej vetëm humbje dhe dështime do të merrni edhe për 15 vite të tjera. Shqiptarët tek shohin flakët e molotovit, edhe sikur ta urrenin Edi Ramën, kurrë nuk do të jepnin votën për ju.
Shtypja, dhuna, dhe presioni politik,ka qenë i pranishëm për afro 45 vjet në jetën e shqiptarëve, ndaj 34 vjet tranzicion, duhej të ishin të mjaftueshme, për t’ju bindur ju berishistët të ishit më europianistë, në marrëdhëniet tuaja me votuesin dhe qytetarin. Kursi juaj nuk ndryshon, tek nuk ndryshoi për kaq e kaq vjet, ndaj rrini në fatin tuaj, dhe mos u përzjeni me të ardhmen e shumicës së shqiptarëve.