Policia e Shtetit ka në dorë një liste me emra personash, të cilët kanë qenë protagonistë të rrëmujave në protestat e kaluara të organizuara nga Partia Demokratike.
Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raporton se janë mbi 30 persona, të cilët janë nën vëzhgimin e shtuar të Policisë.
Konkretisht, në rast se u konstatohen gjëra të paligjshëm, këta protestues do ndalohen dhe do të shoqërohen drejt komisariateve përkatëse.
Duke raportuar nga kryqëzimi i “Rrugës së Elbasanit”, gazetarja Kodra tha se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.
“Është bërë një listë paraprake nga Policia e Shtetit me persona që më herët, në protesta e mëparshme të organizuara nga PD, kanë qenë persona e precedent penalë, por edhe ata që kanë përdorur akte dhunë dhe hedhjen e molotovëve drejt Policisë. Janë më shumë se 30 persona. Këta persona, që janë të dyshimtë nga forcat e policisë dhe nëse do t’u gjenden sende të jashtëligjshme do t’u sekuestrohen dhe do të shoqërohen në komisariatet përkatëse”, raportoi Kodra.
Gazetari Ermal Vija, duke raportuar nga një nyje tjetër e kryeqytetit, pranë Zogut të Zi, tha se situata është e qetë dhe pa probleme.
“Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht dhe bëhet hyrja në të dyja krahët e unazës së vogël. Nuk vihen re ndonjë dyndje e madhe. Pranë rrethrrotullimit të “Zogut të Zi” gjendet dhe patrullat të Policisë Rrugore për të shmangur trafikun. Gjithçka paraqitet e qetë”, tha ai.