Moti i keq ka krijuar problematika që nga Shkodra deri në Vlorë, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë.
Në Shkodër është raportuar për problematika në disa akse. Konkretisht paraditen e sotme është përmbytur rruga e shkollës 9-vjeçare “Martin Camaj”, duke krijuar vështirësi për lëvizjen e mësuesve e nxënësve.
Situata më problematike u paraqit në qytetin e Lezhës, ku sistemi i kanalizimeve nuk e përballoi nivelin e lartë të prurjeve dhe uji doli në sipërfaqe, duke sjellë përmbytje.
Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe blloku i banimit 11-janari, u mbuluan nga uji niveli i të cilit arriti në disa cm, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Reshjet e shiut përmbytën edhe oborrin e shkollës 9-vjeçare “Kosova”.
Niveli i ujit arriti disa centimetra dhe u desh ndërhyrja e punonjësve të shërbimeve publike me një makinë për nxjerrjen e mësuesve e nxënësve nga shkolla.
Reshje të shumta shiu ka pasur edhe në Tiranë përgjatë ditës së sotme. Si pasojë ka një rritje të nivelit të lumit të Lanës, si dhe prani të lartë të ujit në disa nga akset rrugore.
Trafiku i rënduar ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Problematike situata paraqitet në zonën e Unazës pranë shkollës Vasil Shanto, ndërkohë që kjo situatë vijon edhe përgjatë segmenteve të tjera, në të dy anët e rrugës.
Si pasojë e reshjeve të shiut ka pasur gjithashtu rrugë të bllokuara në zonën e Don Boskos, rrugën e Dibrës, etj.
Moti i keq ka përfshirë edhe qytetin e Durrësit, ku erëra të forta dhe reshje të dendura shiu kanë bërë që në disa prej akseve të qytetit të mbushen me ujë.
Situata problematike mbetet rruga dytësore e lagjes 17, kryqëzimi pranë stadiumit, rruga e Currilave, rruga dytësore pranë zjarrfikëses dhe disa akse të tjera në zonat periferike.
Sakaq lundrimet për peshkarexhat e vogla mbeten të pezulluara për 24 orët në vijim.
Një prej qyteteve ku situata nuk duket aspak e mirë është edhe Lushnja.
Niveli i ujit ka arritur në disa pika deri në 40 cm, duke shkaktuar probleme dhe në qarkullimin e automjeteve, me disa prej tyre që kanë ngelur të bllokuara.
Që nga mesdita e sotme edhe Fieri është përfshirë nga reshje me intensitet të lartë.
Sipas informacioneve, moti i keq nuk ka shkaktuar as përmbytje të rrugëve, as shkarje dherash dhe as ndërprerje të energjisë elektrike.
Në disa akse rrugore ka prezencë të ujit duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve, ndërsa tokat kanë ujëra sipërfaqësore por, po largohen nëpërmjet kanaleve kulluese, ndërkohë që hidrovorët në Darzezë e Seman janë në punë me kapacitet të plotë.
Po ashtu edhe qyteti bregdetar i Vlorës është përfshirë pasditen e sotme nga reshje të dendura shiu të cilat kanë përmbytur të gjithë qytetin. Rrugët janë mbuluar nga uji. Madje në një lagje uji ka marrë para tavolinat. Uji ka hyrë edhe në disa biznese e banesa duke shkaktuar përmbytje dhe dëme.
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytjet e disa akseve dhe kryqëzimeve në qytetin e Vlorës. Rruga “Hasan Kushta” rruga “Gjergj Araniti” aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit “Ismail Qemali” janë përmbytur nga ujërat e shumtë ndërsa kanë sjellë probleme në lëvizjen e mjeteve.
E përmbytur është dhe biblioteka e qytetit. Ndërkohë zjarrfikësit në disa raste kanë marrë telefonata për ndihmë për evakuimin e tyre pasi uji u kishte pushtuar banesat.
Reshjet po bien me intensitet të lartë, ndaj dhe prurjet e ujit janë të shumta. Edhe Rruga lidhëse e autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken është përmbytur nga uji.