“Rama na ka hapur luftë”. Kështu u shpreh deputeti demokrat Flamur Noka pas përjashtimit nga seanca e sotme për shkak të tensioneve në parlament. Në një deklaratë për mediat pas daljes nga salla e kuvendit, Noka tha se opozita sot është në ballë të aksionit pa ndalim kundër këtij regjimi.
Noka theksoi se kryeministri shikon të vetmen zgjidhje kërcënimin me burg të kundërshtarëve.
“Edi Rama duke sulmuar opozitën prej 3 vjetësh i ka vënë flakën demokracisë po bën gjithçka ëpr t’i vënë flakën Shqipërisë për interesat e tij. Jemi këtu për të kryer misionin tonë që na ka ngarkuar populli opozitar. Kemi 3 vjet që Rama na ka hapur luftë. Tentoi të na likujdonte si forcë politike, dështoi, zgjodhi të arrestojë liderin e opozitës dhe tani po kërcënon me burg kreun PL, PR ka burgosur Fredi Belerin dhe tani burgosi Salianjin. Ai zgjidhje shikon kërcënimin me burg. kushdo që i nxjerr të palarat ka një përgjigje; kërcënohet me burg”, deklaroi Noka, raporton A2.
Ai paralajmëroi se e njëjta panoramë si sot do të jetë edhe në seancën parlamentare të së enjtes, pasi opozita nuk do të ndalet në aksionin kundër këtij regjimi. Sipas Nokës zgjidhje është vetëm qeveria teknike.
“Ne jemi të vendosur, ne nuk stepemi. Ta harrojë Rama se mund ta likujdojë opozitën apo ta intimidojë. Sot është në ballë të aksionit qytetar dhe të hënën në 7 tetor kundër këtij regjimi. Shqiptarët meritojnë një qeverisje të denjë. Këta janë të denjë për të qeverisur median e krimin e organizuar dhe për të vjedhur. Ne do t’i dalim zot këtij vendi. Edhe të enjten kjo panoramë që patë sot është. Nuk ka kompromis me krimin e organizuar që është në parlament nuk ka kompromis me mafien e korrupsionin. Ne jemi në betejë. qeveria teknike është zgjidhje me një narko-qeveri nuk ka paqe, nuk ka zgjidhje”.
/a.r