Zbardhen detaje të reja nga dosja e Prokurorisë, pas arrestimit të tre inspektorëve të Inspektoriatit Qendror Teknik (IQT), për korrupsion pasiv.
“Masakroje atë subjektin ose të përgjigjet për muhabetin që kemi bërë më parë”, është kjo një pjesë nga përgjimet e Policisë së Shtetit, që çoi në arrestimin e tre inspektorëve, pas një hetimi disa mujor. Për tre inspektorët, Sandër Prenga, Alton Kasembi dhe Dorian Flamuraj, të dyshuar për “korrupsion pasiv”, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.
Në dosjen e prokurorisë, baza kryesore e hetimit janë përgjimet dhe vëzhgimet në terren që janë realizuar nga oficerët e Policisë. Sipas hetimeve, inspektorët e IQT-së dyshohet se merrnin nga 20.000 – 50.000 lekë për çdo shkelje ligjore në pikat e karburantit, të cilat nuk i raportonin.
Inspektori Sandër Prenga, ka shkuar për kontroll në një subjekte dhe komunikon me kolegun e tij, i cili po nëpërmjet telefonit i thotë inspektorit “që masakrojë atë subjektin, ose të përgjigjet për muhabetin që ka bërë me inspektorin tjetër Alton Kasembi”.
Inspektori Sandër Prenga, komunikon përsëri në telefon me inspektorin tjetër Alton Kasembi
Sandri: Aty në Yzberisht e kapëm një me këto pisllëqet, kurse një tjetër ishte që e mbushte nëpër baçe. Ore ne për shtetin punojmë. Po pse ne nuk duam gjë për vete?
Inspektori Sandër Prenga, komunikon me një administrator te një karburant në Laç dhe i kërkon për të pirë kafe.
– Administratori: Më prit që të bie ato lekët se i kam gjetë.
– Inspektori: Mos më shkruaj kështu në telefon, por takohena nesër në mëngjes kur të iki në punë.
Të nesërmen herët në mëngjes, takohet Inspektori Sander Prenga dhe administratori tek karburanti. Inspektori Kasembi shkon për kontroll te subjekti “E….”. Në telefon e merr një kolegu i tij, i cili i thotë: – “Ky subjekt është nga ajo lista që kemi te zyra dhe thuaj qe te kam çuar unë për mik”. Shqiptarja.com