Nga Ben Andoni
Duhet të kesh durimin e znj. Nathanaili që të bësh një studim të tillë, por ajo jo vetëm e ka mbaruar në kohë (7 Mars), por na ka dhënë një panoramë tejet interesante të zhvillimit arsimor shqiptar të para Luftës së Dytë Botërore me librin e saj “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”.
Çështjet më interesante që ka adresuar kanë qenë etapat në të cilat eci zhvillimi arsimor kombëtar para Luftës, problemet e shkollës kombëtare dhe kontributi i qeverive të ndryshme dhe sidomos e Ahmet Zogut. Për fat të keq një sërë dokumentesh, që përcjellin këtë libër, sipas autores, po prishen dhe del imperativi i dixhitalizimit të menjëhershëm të tyre. Sa i përket librit të saj, autorja ka meritën se ka ditur të punojë me një metodikë të qartë, duke na treguar një hulumtuese shumë serioze. “Janë disa emra që dua të veçoj, si Luigj Gurakuqi, Kostaq Kotta, Kristo Floqi, Rexhep Mitrovica, Sotir Peci, Abdurrahman Dibra, Hil Mosi e Mirash Ivanaj. Periudha më e “begatë” në zhvillimin e arsimit është ajo 1925-1939. Sa i takon legjislacionit, nga qeveria në qeveri bëhet më i pasur dhe më i plotë. Po ashtu edhe çështjet me të cilat merret Ministria e Arsimit”, shprehet ajo…Nuk mund të thuhet se është një botim që një hulumtues vogëlsish ta quajë i përkryer, por është tejet ndihës për studiuesit që do ecin pas saj. Përmes këtij hulumtimi, që besojmë se sot, duhet t’ia kenë zili shumë kolegë, fakti është se ajo ka përcjellë një nga fushat më me reputacion të shoqërisë shqiptare, por njëkohësisht atë që ka kontribuar si ascila fushë në fytyrën që ka vendi ynë sot.
Për të kuptuar vështirësinë e saj duhet të kuptohet se koha që i referohet ajo, kishte mungesë, për të thënë më mirë, uri totale për arsimtarë. Dhe, sot, mund të duket realisht për të qeshur, por realisht duhet të kishte mësues që së pari të kishin njohuri për gjuhën kombëtare, që për hir të së vërtetës, edhe vetë ishte në fillimet e trajtesës shkencore.
Trajtimi i Nathanailit botuar cilësisht nga UET-ja është thjesht historik edhe pse sot mund të komentohet shumë për rezultatet reale të asaj kohe, por ajo na ka prezantuar një metodikë që mund të jetë shumë e mirë për të ardhmen.
Ngarkesa dhe serioziteti i librit është se janë shfrytëzuar maksimalisht fondet e Ministrisë së Arsimit të kohës duke na shfaqur realisht një krijuese tejet të angazhuar për të hedhur dritë si pak kush në një fushë tepër impenjative për Shqipërinë.
Puna e saj ka bërë identifikimin e çdo qeverie dhe sfondin historik në të cilën ka vepruar, mbi bazën e rendit kronologjik, një eksplorim dinamik i dokumentacionit të krijuar nga çdo qeveri dhe kategorizimi i tyre sipas këtij protokolli: çështje dhe problematika me të cilat është marrë Ministria e Arsimit, ku janë veçuar disa nga politikat dhe veprimtaritë kryesore; Identifikimin e prioriteteve të punës së çdo ministri, sikundër edhe pasqyrimin e jetëshkrimit të disa prej ministrave që kanë qëndruar jo vetëm për një kohë të gjatë në detyrë, por që edhe me punën, pasionin e kulturën e tyre i dhanë një impuls pozitiv zhvillimit të arsimit në atë kohë.
Por libri ka dhe shumë statistikë. Nuk mund të thuhet se vetë autorja mund të besojë se libri është shterues, pasi koha tregoi edhe mungesa, ku kuptohet se ka diferencë dokumenti që parashtrohet dhe mënyra sesi implementohet, një fakt që e jetojmë në ditët tona dhe që më sa duket nuk ka qenë pjesë përbërëse e punës së studiueses së njohur që gjejmë kohë ta falënderojmë për punën e saj
Valbona Nathanaili prej vitesh i është dedikuar arsimit shqiptar, por në vitet e fundit është duke drejtuar një politikë botimesh në UET, që po rezulton e vlefshme. E veçantë është se nuk e ka braktisur punën studimore, dhe prej saj kemi këtë herë këtë botim të vyer, të titulluar “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”. Ku përmes një vështrimi të kujdesshëm që përcjell vitet e ngritjes dhe forcimit të jetës shqiptare jepet dhe ecuria e njërës prej fushave që duhej të zhvillohej para të tjerave dhe madje t’u ndihte atyre në ngritjen e vendit tonë…Dhe, autorja e dha kontributin e saj ndaj arsimit pikërisht me këtë studim të plotë historik.
Titulli: Rruga e mundimshme e shkollës shqipe
Autor: Valbona Nathanaili
Gjinia: Studim
Botues: UET
Çmimi: 1.200Lek
Faqe: 313