Bashkimi Europian përshëndet ngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist të Banjskës, por nuk nxiton që të drejtojë gishtin nga Serbia. Zëdhënësi Peter Stano nënvizoi se Brukseli do të marrë një vendim për pasoja të mundshme vetëm pasi drejtësia e Kosovës të përfundojë të gjitha procedurat dhe të japë verdiktin lidhur me këtë rast.
“Ne kemi thënë që shtatorin e vitit të kaluar se ky sulm përbënte një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë. Dhe se do të ketë pasoja. Pra, kur gjykata në Kosovë të vendosë se kush është fajtor, kush është përgjegjës apo i pafajshëm, atëherë do të jetë koha për të vendosur pasoja. Sigurisht se ne kemi një spektër të gjerë instrumentesh që mund t’i përdorim në konsultim me shtetet anëtare”, u shpreh zëdhënësi i BE, Stano.
Një thirrje të drejtpërdrejtë pati dhe për Serbinë, shtet i cili akuzohet nga qeveria e Kosovës se qëndron pas sulmit të Banjskës.
“Pritshmëritë tona janë që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e këtij sulmi dhe nëse është e nevojshme, të bashkëpunojë edhe t’i ballafaqojë përgjegjësit. Kjo është diçka që ne po ua përcjellim vazhdimisht partnerëve tanë serbë, në çdo rast, edhe kurdo që kjo çështje ngrihet”, shtoi ai.
Stano u pyet nëse Banjska ishte një ndër temat e takimit të ambasadorit të BE-së në Beograd me presidentin serb, por që preferoi të mos komentonte. Zëdhënësi vetëm sqaroi se BE-ja i kërkon vazhdimisht Serbisë që të bashkëpunojë në hetime për të bërë drejtësi për këtë sulm.