Edison Ypi
Lymi u çfaq te postblloku i repartit një ditë shiu.
E lanë të priste derikur qull dhe me një çantë në sup dikush vajti e mori e çoi te komandanti ku seç biseduan, dhe Lymi që atë ditë u bë njëri nga ne.
Lymi duket si Mesia, tha mendueshëm të nesërmen Maks Dashi.
Qefli i modh, u hodh Diogjen Reveli.
Pijanec, feminist, shtoi Burhan Kalaja.
Për mu ësht thjesht një pisanjos, vërejti Kamber Kapidani.
Te bateria kundërajrore pranë lagjes Çole ku kryenim shërbimin ushtarak unë dhe të sipërpërnendurit “tironca”, Lymi tërhoqi menjëherë vëmendjen.
Lymi ishte i zi, ishte jevg, magjyp, rom.
Rekrutët i sillnin bashkë. Lymin e sollën vetëm, dhe në Prill, që nuk ishte muaj i mbledhjes së rekrutëve. Kishim një hemofilik, një astmatik, dhe një tjetër që Sigurimi e çoi diku jashtë. Që të tre erdhën në data të pazakonta, por të justifikuara. Lymi ishte mirë me shëndet. Dhe nuk dukej se mund të qe i zgjedhuri i Sigurimit për ta hedhur diku. Ardhja e Lymit jashtë rradhe nuk u qartësua kurrë.
Bëri përshtypje çanta e Lymit hedhur supit prejnga dukeshin 2 ose 3 paketa Partizani dhe një shishe raki. Pra Lymi kishte ardhur me një rezervë ushqimore. Për tu ngopur, dehur, dhe tymosur. Që mes asaj skëterre me vetëm një garuzhde grosh në mëngjez, dukej luks.
Shpejt u muar vesh se Lymi, si të gjithë ne pak nën, ose pak mbi, 20, ishte këngëtar, ahengçi, sazexhi, arixhi, nga periferia e Sukthit.
E thirrnim Lymin brenda vendstrehimeve të betonit pranë një furrnelle elektrike për ngrohje ku këndonte me gjithë shpirt me zë të dridhur. Shoqërimin me kitarrë e bënte Bert Qirinxhi nga Korça.
Këngët e preferuara të Lymit ishin këngët lotndjellëse, zemërçjerrëse, shpirtcfilitëse:
Kënga e të burgosurit…në çelik e në çimento më kanë mbyllur në kët’ vend.
Kënga e Jetimit…i vetëm jam un’ në këtë botë.
Kënga e Nënës…ç’pate që më le moj Nënë.
Me kalimin e ditëve u muar vesh se shumë më tepër se rakixhi dhe ahengçi, Lymi ishte tjetër gjë.
Brenda trekëndëshit revolucionar pushtet-propagandë-çlodhje, aty ku bythmëbyth me njëritjetrin bënin hatanë, respektivisht, komiteti ekzekutiv, reklamat e kinamasë, halet publike, Lymi ishte hiç më pak se administrator, drejtor, shef, brigadier, menazher, i pesë kurvave.
Pesë kurvat e Lymit ishin Meremja, Myrvetja, Shpresa, Kismetja, Fëllënxa. Si menazher kurvash, s’do mend se Lymi ishte dhe njohës i thellë i femrave. Si objekt dhe subjekt. Sa i hireve fizike, dhe i nazeve, tekave të tyre.
Me të marrë vesh se Lymi, veç tjerash, qe dhe kurvolog, nami i Lymit mori dhenë. Lymin e shihje sa në një qoshe në tjetrën kokë më kokë duke u bërë qartësime e duke u dhënë spjegime kurvologjike hallexhinjve, sidomos të interesuar për anatominë e femrës.
Nami i mbretit Lym me seli në lagjen Çole mori dhenë rretherrotull Vlorës, Qaf e Koçiut, Kaninë, Pasha Liman, Karaburun, Sazan, Zvërnec, Nartë, Qaf e Ullishtës, dhe më tej thellë në Labëri.
Lymi nuk u deskriptonte dishepujve të vet të gjitha hiret e secilës kurvë.
Lymi kishte metodën e vet të mësimdhënies. Një ditë ja kushtonte përshkrimit të detajuar, në formë, dimensione, reliev, bashkë me ofshamat dhe aromat përkatëse, pridhit të Meremes. Ditën tjetër shalëve të Myrvetes pa harruar pikat më të ndjeshme në skajet. Pastaj sisëve të Shpresës me linjat dhe krateret. Vithet e Kismetes me harqet përkatëse. Gushën e Fëllënxës rrethepërqark me vendet e ndjeshme ku ajo gushë rekomandohet të preket, puthet, nuhatet, pse jo dhe lëpihet.
Një ditë, një ushtar i vëmendshëm paksa i djallëzuar, duke mos u orientuar dot në laryshinë e hireve të njërës e tjetrës kurvë, e pyeti Lymin:
Cila është shoku Lym ajo kurvë nga kurvat tuaja që po e përshkruani kaq bukur, me kaq zell dhe stil, Meremja, Myrvetja, Shpresa, Kismetja, apo Fëllënxa ?
Kjo është Merilin Monroja, ju përgjegj Lymi pa j’u dridhur qerpiku.
Maks Dashi sa s’vdiq nga e qeshmja.
Diogjen Reveli fërgëlloi nga qefi.
Burhan Kalasë sa si ndali zemra.
Kamber Kapidani u skuq nga pafytyrësia e Lymit që krahason të pakrahasueshmet.
Agron Nallbani aq u knaq sa u bo gati me u hedh nga dritarja.
Në një rast tjetër, një lezhjan merakli i imazhit, e pyeti Lymin;
A i ke fotografitë e kurvave të tua ti Lym ?
Po, tha Lymi, i kam.
Lymi vajti gjeti faqen “Malcorja kreshnike” te gazeta Zëri i Popullit dhe rubrikën “Burrneshat tona” te revista Ylli. Preu me gërshërë pesë kooperativiste me pantollona, fustan, shami në kokë, shat ose lopat në sup. Ja tregoi lezhjanit. Lezhjani u kënaq pa masë me përgjigjen dhe dhuratën. Lymi bëri disa prerje të tilla. Gjithkush që pati fatin dhe favorin e rrallë të mbante dhe ta përdorte një foto të tillë, e ruante me kujdes si syt e ballit derisa i kalbej nga djersa ose i grisej nga përdorimi i shpeshtë kur ishte vetëm dhe e kqyrte për qef ndërkohë që djersitej nga tundjet e autobuzit dhe zemra i rrihte si e çmendur.
Njohuritë e thella të Lymit në fushën e kurvologjisë arritën, nga ushtari i thjeshtë, te skuadërkomandanti, komandanti, komisari, kuzhinieri.
Kurvologu Lym nuk kursehej në përhapjen e gjithçkaje që dinte për një jetë sa më të këndëshme, pa dhimbje koke, pa strese, pa panik atake.
Nuk u muar vesh pse Lymi komandantit dhe komisarit u thoshte gjëra që ne të tjerëve na i mbante fshehur. Kuptohej kjo kur Lymi nga zyrat e tyre dilte paksa i skuqur në fytyrë.
Në pak kohë Lymi u rrethua jo vetëm me dashuri dhe respekt, por edhe me favore. Lymi hante sa të donte. Nuk bënte stërvitje. Nuk bënte roje. Nuk bënte rreshtore. Lymi në Vlorë, si misionarët e besimeve në Afrikë e gjetkë, vetëm jepte leksione për një jetë më të mirë se ajo me groshë për mëngjez, çaj për darkë, rreshtore, stërvitje, orë edukate marksiste leniniste.
Pas një kohe, loja e Lymit u pikas. Për ta verifikuar dhe ndëshkuar në mënyrë shembullore dukurinë djallëzore mikroborgjeze, partia dërgoi në repartin kundërajror një agjitator. Agjitatori ra menjëherë në rrjetën e Lymit. U bë dishepull i zjarrtë i Lymit. E internuan. Erdhën dhe të tjerë ta nënështronin Lymin. Patën të njëjtin fat me agjitatorin. Lymi i bënte për vete të gjithë. Mësimet e Lymit triumfuan mbi mësimet e Partisë, të marksizmit, leninizmit, stalinizmit, maocedunizmit, dhe të gjithë izmave të tjera.
Mësimet e Lymit mbi femrat dhe të fshehtat e tyre gjithashtu çvlerësuan mësimet e partisë, komandës, ministrisë, mbi karabinën, llozin, vetmbushjen, thep-shqekzën, këmbëzën, kondakun, pistonin, sustën, mekanizmin shtytës-goditës dhe të tjera diabolerira si radiolokatori, shikimi stereoskopik, topat, mitralozat, e të tjera e të tjera çmendurira.
Do kishte vazhduar përgjithmonë. Me Lymin dhe mësimet e tija do ishte rrëzuar Diktatura. Por Lymi bëri një gabim fatal. Lymi iku disa ditë pa leje nga reparti te dasma e një miku me të cilin kishte pi gjak. Ajo dasëm u bë sebep që në repart erdhi një prokuror ushtarak.
I mblodhi prokurori dishepujt e Lymit këmbëkryq mbi bar mes mencës dhe halesë. Ndërkohë që prokurori fliste, dëgjohej rrjedhja e çesmës me rubinet të prishur.
Prokurori tha: Lymin do ta çojmë ku e meriton. Te kurvat e tij: Te pridhi i Meremes, te goja e Myrvetes, sisët e Shpresës, shalët e Kismetes, vithet e Fëllënxës. Pesë kurva kishte Lymi, pesë vite në çelik e në çimento do e mbajmë qënin Lym që këputi zinxhirin.
Burgu për burra është, thirri njëri nga ushtarët.
Ra heshtje varri.
Të gjithë ngrinë.
Askush nuk lëvizi.
Prokurorit s’i erdhi zëri.
Aeroplanët armiq që fluturonin mbi Sazan dhe Karaburun, fikën motorrat.
Vetëm rubineti i prishur dëgjohej që rridhte.
Është spiun, zagar, provokator i ndyrë ai që thirri, më tha Burhani te veshi mua.
Ky Lymi, me ç’po shoh, paske qenë vetë o qirjo Yp…..hyp Xhixhi, opaaaa……do të thoshte Cekja i Beratit. Bukur e ke përshkruar rininë tënde, o qejflliu i sheftelive të pa bëra akoma pjeshkë…..