Tragjedi që të lë pa fjalë është ajo që ka ndodhur në ishullin e Kretës ku tre djem të moshave 15, 19 dhe 20 vjeç humbën jetën, ndërsa një 22-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacion. Aksidenti me tre viktima u regjistrua mëngjesin e së shtunës në qytetin e Chania-s, në aksin rrugor verior të ishullit grek.
Sipas informacioneve nga mediat vendase, dy nga djemtë kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa i treti ka është shuar në urgjencën e spitalit të Chanias, ku u transferua menjëherë.
Makina me të cilën udhëtonin katër të rinjtë është përplasur me një furgon në të cilin udhëtonin gjithsej 19 persona.
Sipas informacioneve nga burime policore që i referohen dëshmitarëve, makina dyshohet se ka tentuar të parakalojë, por drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë në korsinë e kundërt.
Katër të rinjtë kanë mbetur të bllokuar në makinë dhe është dashur ndihma e zjarrfikësve për t’i nxjerrë. Në vendngjarje kanë shkuar 4 autoambulanca.