Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicën e Veriut është kthyer në një çështje të nxehtë diskutimi mes ndërkombëtarëve dhe Kosovës.
Qeveria e Kosovës kërkon hapjen e saj si një e drejtë ligjore të vendit dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve, por ndërkombëtarët thonë se kjo duhet të behet në koordinim me Serbinë që të shmangen incidente që mund të çojnë në destabilizim jo vetëm brenda vendit por edhe të rajonit.
Në një intervistë për RTSH 24 analistja Arta Tahiri-Beqa nga Prishtina u shpreh se ndërkombëtarët kanë ndryshuar qasje për shkak të situatës në Evropë që nga lufta në Ukrainë e deri tek përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin përmes Serbisë.
Hapja e urës së Ibrit, tha analistja, duhej të bëhej që në 21017 si pjesë e marrëveshjeve mes dy vendeve me bekimin e ndërkombëtarëve, por kjo nuk ndodhi. Sipas saj, rikthimi i kësaj çështje në tryezën e dialogut do e kthejë edhe njëherë në pikën zero.
“Çështja e urës është çështje ligjore dhe i takon Kosovës për të marrë masa konkrete për hapjen e saj në bazë të marrëveshjes 20215-2016 dhe në 2017 kjo temë duhet të ishte mbyllur dhe vijimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve si një e drejtë themelore njerëzore. Por duke ditur qasjen e Serbisë për të krijuar destabilitet ka bërë që faktori ndërkombëtar të ndryshojë qasje dhe gjeopolitikat edhe për shkak të rolit të Rusisë mbi Serbinë dhe luftës në Ukrainë. Ndërkombëtarët kërkojnë mirëkuptim dhe balancim të situatës që të mos ketë konflikte që do të sjellin destabilizim të rajonit dhe të shmangen situata e dhunshme. Çështja e urës nuk ka qenë kurrë direket pjesë e dialogut dhe ajo u diskutua njëherë në 2017 dhe nëse risillet do të thotë që çështja të nis nga zero edhe njëherë”, tha ajo.
Për vetë analisten hapja e kësaj ure në këtë moment, sillet nga vetë kryeministri Albin Kurti si një çështje patriotike për të fituar mbështetje para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt 2025.
“Ura e Ibrit nga ana e Kosovës mund të konceptohet si lëvizje para zgjedhjeve. Kryeministri Kurti përfiton edhe nga fryma populiste dhe hap tema që janë të ndjeshme dhe nacionaliste e patriotike. Ai këmbëngul ta hap urën edhe pa mbështetjen e ndërkombëtarëve edhe për promovimin e ideve nacionaliste”, tha ajo.