Në pritje të certifikimit të rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhor, Vangjel Tavo i ka idetë e qarta se çfarë do bëjë me Himarën. Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së qytetit bregdetar në një intervistë për Top Channel tregon se kush e telefoni i pari pas fitores së thellë që korri më 4 gusht si dhe objektivat pasi të marrë çelësat e zyrës së kryebashkiakut të Himarës.
Pas fitores kush ju telefonoi për t’iu uruar i pari?
Ajo që më bëri përshtypje ishte telefonata e z.Gjikuria që më uroi dhe e vlerësova shumë këtë telefonatë dhe mendova vërtet se duke qenë një person që gjysmën e jetës së tij ka jetuar jashtë ka ardhur me një frymë tjetër. Vazhdon të jetë ftesa në fuqi, që Gjikuria të ulet në karrigen e nënkryetarit të Bashkisë.
Po kur folët në telefon a morët një përgjigje për këtë ftesë?
Nuk mora një përgjigje.
Pak minuta më vonë se shpallët fitoren, z.Gjikuria hodhi akuza se fitorja ishte nëpërmjet një procesi të manipuluar dhe se fitoi një kandidat që do i shërbejë kryeministrit.
Përgjigja është rezultati i zgjedhjeve, afro 1500 vota diferencë. Unë u besoj atyre që dëgjoj me zë dhe figurë nga z.Gjikuria dhe jo ato që lexoj. Besoj atë që Gjikuria tha para procesit të numërimit se do ta njoh verdiktin e banorëve të Himarës, besoj te telefonata që më mori dhe uroj për fitoren, pjesa tjetër se kush e menaxhon dhe kush e dikton atë me shkrim nuk di çfarë t’ju them.
/a.r