Shqipëria kujton sot 7-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), aktivitet që u shënuar me një ceremoni në kryeqytet. Në aktivitet kanë qenë të pranishëm të gjithë krerët më të lartë të vendit. Aktiviteti është i hapur edhe për qytetarët, të cilët mund të shikojnë nga afër mjetet dhe pajisjet më të reja të Forcave të Armatosura. Aktiviteti pritet të nisë në orën 10:00.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në fjalën e mbajtur me këtë rast pasi vlerësoi rrugën e vendit drejt NATO-s, tha se Shqipëria gjeneron paqe, siguri dhe stabilitet
“Jemi mbledhur të gjithë bashkë për të festuar përvjetorin e 7-të të anëtarësimit, që na jep mundësinë për të reflektuar për rrugën e bërë nga Shqipëria dhe rëndësinë e NATO-s. Sot po festojmë një nga arritjet më të mëdha për sigurinë e vendit. Rruga që Shqipëria mori për t’ju bashkuar NATO-s ishte e qartë.
Kemi adresuar shumë kërcënime për sigurinë tonë të përbashkët. Jemi të pranishëm me misione që nga viti 2002 duke iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit. Ne patëm edhe një humbje, kapiten Voglin, sakrificë që na bën të përulemi para ushtarakëve. Shqiptarë e shqiptarë në uniformë shërbejnë me përkushtim. Shqipëria gjeneron paqe, siguri dhe stabilitet”, tha ministrja e Mbrojtjes.
E në këtë drejtim ajo theksoi se rajoni krejtësisht i përfshirë në vorbullat e pasigurisë por tha se Shqipëria ka marrë rolin e saj. “Shqipëria ka marrë një rol primar me donacionet ushtarake. Qeveria ka bërë shumë reformë për modernizimin e FA-ve. Falënderoj për këtë rrugëtim, qeveritë e SHBA-ve, Turqisë, Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë. Falënderim për të gjitha ata që e kanë bërë të mundur anëtarësimin në NATO. Falënderoj FA-të, administratën shqiptare dhe shoqërinë. Shqipëria dhe NATO kanë nevojë për njëra-tjetrën për të ruajtur vlerat tona, për të mbrojtur të ardhmen tonë”, deklaroi Kodheli.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se NATO lindi sepse vetë historia e ngarkoi bashkësinë Trans-Atlantike me detyra të përbashkëta. “Sot kjo bashkësi të tjera detyra. Në kontekstin gjeo-strategjik Shqipëria pjesë e Aleancës për të shpërndarë ngarkesën e detyrave të kahershme. Në këtë 7-vjetor anëtarësimi ynë në NATO jo vetëm si arritje por si një pikënisje e re”, tha Bushati.
Bashkia e Tiranës ka dekoruar qytetin me simbolet dhe flamujt e Aleancës së Atlantikut.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se është drejt përfundimit projekti për hapjen e tuneleve si muze. “Historia e këtyre tuneleve, bunkerëve, e këtij bulevardi parakalimesh metafora e shndërrimit që ka pësuar Shqipëria. Së shpejti në Tiranë, asambleja parlamentare e NATO-s”, tha Veliaj.
Ne vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.
E vlerësuar si faktor stabiliteti ndër vite në rajonin e Ballkanit, tashmë me një rol vendimmarrës, Shqipëria renditet përkrah partnereve te saj ne përballimin e sfidave te sigurisë globale.
Me misionet e saj ushtarake, vendi ynë është i rreshtuar në mbrojtje të paqes dhe lirisë në Irak e Afganistan, çka u vlerësua edhe në samitin e Çikagos në majin e vitit 2012.
BW