Deputetja e PS, Etilda Gjonaj ka shpjeguar sot në Kuvend amendamentin e propozuar prej saj dhe deputetes së PD, Dhurata Çupi për ruajtjen e kuotave gjinore në listat e kandidatëve për deputetë. Sipas amendamentit, 1 në 3 nga kandidatët fitues nga lista e hapur duhet të jetë grua. Ajo tha se kuota gjinore nuk është një diskriminim pozitiv sikundër thuhet shpesh, por një mekanizëm që përdoret nga shumë vende si një mundësi për të pasur minimumin e përfaqësimit të grave në strukturat politike e vendimmarrëse.
“Amendamenti është propozuar me një dakordësi politike kryesisht nga gratë deputete, përfshi edhe kryetarët e grupeve parlamentare Çuçi e Bardhi të cilët dua t’i falënderoj. Por duhet të kuptoni se asnjë nga zonjat që ka firmosur këtë amendament nuk e bën kërkesën për të ruajtur kuotën gjinore për veten e saj. Këtu bëhet fjalë për atë standard që ne e kemi arritur. Jo vetëm ne që jemi sot pjesë e këtij parlamenti, por edhe më parë gra të tjera deputete. Sot që flasin janë 36% gra deputete në parlament prej garancisë së kuotës gjinore”, tha Gjonaj.
Në vijim të fjalës së saj ajo theksoi se duke pasur më shumë gra deputete në parlament edhe politika është më e mirë edhe shoqëria është më e mirë. Gjonaj tha se gratë deputete sot kanë treguar që e kanë merituar rolin dhe pozicionin e të qenurit në parlament.
“Kauzat për çështje sociale apo për çështje të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve apo të drejtave të grave, kapen e trajtohen më shumë nga gratë deputete në parlament. Jo se nuk dinë të bëjnë mirë aspekte të tjera politike si të merren me çështje të sigurisë apo ligjeve. Ne kemi kolege deputete që sot drejtojë 4 komisione të përhershme shumë të rëndësishme. Gratë deputete kanë treguar që e kanë merituar rolin, pozicionin dhe të qenurit në këtë parlament. Gratë nuk janë të detyruara gjithmonë të justifikojnë vendin e tyre ku qëndrojnë, vendin e tyre kur janë në parlament apo qeveri sepse e meritojnë po njësoj si kolegët burra shumë të nderuar”, theksoi Gjonaj.