Nga Artur Ajazi
Pothuajse të gjitha krimet e ndodhura në Shqipëri në 2 dekadat e kaluara, dhe ato që po ndodhin edhe sot e kësaj dite, mbajnë “firmën” e kallashëve të vitit të zi 1997. Ishte koha kur shteti ra, kur qeveria ra, kur presidenca ra, kur burgjet u hapën, repartet ushtarake me urdhër nga lart u braktisën, dhe kur populli i mbetur mes katër rrugëve, u sul mbi banka, dogana, dhe depo armësh. U morën mijëra e mijëra kallashë, mijëra ton municion, shumica e tyre vdekjeprurës, që vranë dhe po vrasin popull të pafajshëm edhe sot. Ishte koha kur institucionet u braktisën, dhe uniformat e shtetit përhapnin parrulla nëpër qytete se “ikni se po vijnë”. Kush po vinte, nga po vinte, pse po vinte ? Pa kaluar 24 orë nga rënia e shtetit, vendi kaloi totalisht në kaos, kurse elementët kriminalë të dalë nga burgjet e shqyera, nisën vrasjet, rrëmbimet, plaçkitjet, dhe nisën madje të bënin ligjin në gjithë vendin. Mbi 3 milion kallashë të kyçur në tunele dhe depo nga “diktatori”, kishin rënë në duart e bandave dhe kriminelëve. Kishin rënë në duart e bandave portet, bashkitë, prefekturat, bizneset, qytetet dhe fshatrat. Ishte situatë lufte, pa patur shkak dhe arsye lufte. Ishin armatosur i madh dhe i vogël. E ndërsa shumica e bizneseve falimentoi, iku jashtë apo dhe shumë prej tyre në përleshje me bandat u vranë, krimi u pasurua. Ata dispononin kallashët dhe milionat, madje bënin edhe organikën e personave që do të emëroheshin në komisariate dhe vende të tjera kyçe. Kishte rënë shteti, sikur të ishte “kala prej rërë”, ai shtet që Sali Berisha me të vetët, e kishin ngritur mes vjedhjeve dhe mashtrimeve piramidale, ai shtet që Partia Demokratike e kishte ngritur me militantë dhe burgaxhinj, që ishin pajisur me “dokumente legale” sikur të gjithë kishin qenë “të përndjekur politikë”. Ardhja e qeverisjes sociliste pas 1998, ishte ndoshta shpëtimi i përkohshëm nga një situatë kaotike, alarmante, që kishte futur shqipëtarët në gjakmarrje të reja. Mbi 5 mijë vetë u vranë në harkun kohor të 6-7 muajve nga plumbat e armëve dhe municioneve që duhej të ishin në tunele dhe depot e ushtrisë, dhe askush nuk mbajti, dhe nuk ka gjasa të mbajë përgjegjësi penale. Por cila është situata sot ? Në duart e popullatës, apo më mirë të bandave , ndodhen akoma kallashët e 1997, megjithëse një pjesë e tyre u trafikua duke ja shitur mafies italiane dhe rrjeteve kriminale në vende të tjera në Europë. Kallashi ynë, mori “nam” sidomos kur nisej me konteinerë në rrugë detare, muajt e trazirave, dhe kur shteti i Berishës kishte rënë plotësisht. Ishte koha kur u gjallërua krimi, trafiqet, kontrabanda, dhe ligjin po e bënin njerëzit e rrugës dhe burgjeve. Populli lutej, mallkonte, shante, ofendonte, shqyente dyqane dhe dhoma biznesi, kërkonte paratë e piramidave, kërkonte drejtësi, por gjithçka ishte e kotë. Milionat e piramidave e kishin gjetur vendin. Edhe pse Fatos Nano besonte se “do të gjendej rrugëzgjidhja e rikthimit të parave” , duket se gaboi. Gjithçka ishte kyçur në vende të pazbuluara dhe sot, ndaj dhe lufta vazhdon. Koha e trazirave e kishte futur popullin në labirinthe të rrezikshme. Po vriteshin për një fjalë goje, për një gardh, një avlli, një mur ndarës, pasi në duart e tyre ishin kallashët. E ndërsa vrasjet shtoheshin në shkallë vendi, një pjesë e bandave ju kthye “normalitetit”, duke menduar se “me milionat e vëna nga muajt e trazirave, mund të nisnin një jetë të re, larg skenave me vrasje”. Shumica e tyre u “atashua” në grupimet politike. PD, nuk e harronte “zakonin e vjetër”, ndaj shumicat e tyre i bëri ofiqarë të partisë, madje dhe deputetë të saj. Ishte koha, kur kallashët dhe milionat po i hynin në punë, partisë që mbolli kaosin, anarshinë, dhe nxiti urrejtjen klanore dhe krahinore tek shqipëtarët. Sot më vonë se kurrë, është dita e llogaridhënies për ata që e shqyenë shtetin, e vodhën e shkatërruan, e futën në vëllavrasje, dhe u pasuruan duke shitur pasuritë e këtij vendi. Eshtë koha, kur SPAK-u, duhet të rihapë dosjen e zezë të 1997, dhe të bëjë drejtësinë e munguar.