Nga Ylli Pata
Sot, edhe pse ishte afati i fundit procedurial për tu regjistruar në KQZ, Partia Demokratike e Sali Berishës, ende nuk është regjistruar si subjekt.
Në pamje të parë duket si një zhvillim thjesht burokratik, por që në prapaskenë fsheh një qëllim të qartë e të fortë politik.
Mos regjistrimi i PD-së, e bën betejën e 4 gushtit në Himarë, një përplasje reale mes Tiranës dhe Athinës. Zgjedhjet e 4 gushtit janë votime të pjesshme vetëm për kryetarin e bashkisë, e që nuk do të ketë një konfigurim të këshillit bashkiak, mazhoranca e të cilit zotërohet nga PS.
Nga ana tjetër, anëtarët e këshillit që i përkasin partive opozitare, përkatësisht pjesës së PD-së së Berishës, asaj të Bashës, por edhe PL-së, e kanë treguar në votimet e shkuara se nuk janë mbështetës të Fredi Belerit, organizatës OMONIA dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules.
Disa mbështetës të opozitës që dalin në emisionet e darkës për të mbështetur Belerin, apo edhe kandidatin aktual tani, janë shprehur se beteja në Himarë nuk ka lidhje me Athinën, pasi janë vetëm 3 fshatra ku ka njerëz që flasin greqisht, e ndaj përplasja është politike mazhorancë-opozitë.
Mos regjistrimi edhe de jure i PD-së, e bën jo vetëm betejën politike në Himarë, por edhe karakterin e fushatës, nën drejtimin dhe menaxhimin e partisë së Vangjel Dules dhe OMONIA-s së Fredi Belerit.
Organizata, të cilat në bashkinë Himarë kanë qenë gjithmonë minoranca politike. Fitorja ka ardhur si në rastin Bollano, ashtu edhe në rastin Beleri, me anë të koalicionit me PD-në.
E cila, për arsye politike, që të ketë një mbështetje në Athinë, i ka dhënë çelësat e Himarës, grupimeve politike greke të lidhura me qarqet politike e shtetërore në Greqi.
Këtu nuk kemi të bëjmë më me operacion pragmatik, por me qëndrim për një qëllim të caktuar tashmë. PD e Berishës, nuk fiton asnjë pikë nga ky dorëzim i sheshit Vangjel Dules, sidomos kur e bën me kushte të tilla.
Madje, ky lëshim i fushës, e dobëson siç e ka dobësuar edhe më shumë, influencën në fshatrat që janë historikisht të djathta dhe nacionaliste, në radhët e banorëve.
Por kjo është njëra anë e medaljes, e për të cilën nuk ka përse merakosen të tjerët, nëse opozita nuk i shikon interesat e veta. Por duke braktisur fushën në këtë mënyrë, me vetëdije e qëllim të qartë, krijon një terren të qartë për krijimin e një territory grek në Himarë, kur në të vërtetë nuk ekziston.
Himara nuk është një zonë e quajtur minoritare, apo një territor ku banojnë shqiptarë me kombësi greke. Himara është një bashki e Shqipërisë, ku banorë të së cilës kanë marrë karta greke nga autoritetet e Athinës për qëllime të caktuara.
Vetë vendimi i qeverisë greke disa vjet më parë për të hequr shtetësinë greke Jorgo Goros, tregoi se ky process, pra pajisja me letra, është artificial dhe thjesht një eveniment zyrtar. E nuk ka të bëjë me shtylla të përcaktuara kombësie. Vangjel Tavo përshembull, që është kandidat i mazhorancës në Himarë, është minoritar etnik grek, e mund të ketë edhe letrat, gjegjësisht pasaportën e Republikës Helenike.
Tavo ka marrëdhënie të mira me Athinën apo edhe me Kandidimi i tij në Himarë, është parë me inat nga qeveria greke, e cila megjithatë nuk mund ta kërcënojë Tavon me heqjen shtetësisë, pasi edhe nëse e bën, s’i heq dot kombësinë greke, e për këtë do të ishte një boomerang.
Rasti i Goros, ishte pikërisht një sinjal për himariotët e thjeshtë, që nëse votoni për PS-në do tua bëjmë si Jorgua që quhej Gjergji. E në fakt, pikërisht atëherë i nis plani strategjik për të fituar bashkinë Himarë, nëpërmjet mekanizmit të letrave të homogjenitetit. Ndaj gjetën grekë edhe në Kuç e Vranisht. E këtë qëllim, PD ua bën më lehtë Athinës, me shpresë se do të dalë Berisha nga izolimi ndërkombëtar. Por PD sipas gjasave do të shuhet fare në bashkinë Himarë, pasi baza mund të jetë opozitare me Ramën dhe njerëzit e tij në atë territor, por gjasat janë që të mos e kthejnë në normë që të votojnë për një kandidat të Vangjel Dules. Aq më shumë nga Federata panepiriote e Nikolas Gage.