Sipas ministrit amerikan të Punëve të Jashtme, Antony Blinken, Irani është në prag të “arritjes së aftësisë për të prodhuar lëndë radioaktive për armë bërthamore”.
Kryediplomati amerikan e tha këtë gjatë Konferencës për Sigurinë të Aspen Security Forum që zhvillohet në Kolorado.
Ai shtoi se Irani nuk ka zhvilluar ende armë bërthamore. Megjithatë situata aktuale nuk është “e mirë”. Qeveria amerikane po i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në këtë çështje, tha ia. Muajt e fundit është bërë e qartë se qeveria në Teheran po përparon me programin e saj bërthamor, tha Blinken. Ai përsëriti qëllimin e Uashingtonit për ta parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.
Në mes të muajit qershor Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), me seli në Vjenë, njoftoi se Irani po vazhdon të zgjerojë programin e tij bërthamor. IAEA iu referua një njoftimi të qeverisë së Teheranit për të instaluar kaskada shtesë për centrifuga uraniumi në uzinat e pasurimit të uraniumit në Natans dhe Fordo.
SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Rusia dhe Kina lidhën në vitin 2015 me Iranin një marrëveshje për programin bërthamor. Në të Irani zotohej ndër të tjera, që të kufizonte në shkallë të gjërë programin e tij bërthamor.
Bliken: Një nga gabimet më të mëdha të viteve të fundit
Nën drejtimin e Presidentit republikan Donald Trump SHBA-ja u tërhoq në vitin 2018 në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja. Trumpi forcoi gjithashtu sanksionet kundër Republikës Islamike të Iranit. Si rezultat Irani hoqi dorë gradualisht nga respektimi i detyrimeve të tij. Teherani e zgjeroi shumë pasurimin e uraniumit dhe kufizoi kontrollet nga IAEA. Negociatat për ringjalljen e marrëveshjes deri tani nuk kanë treguar ndonjë përparim.
Blinken e quajti tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja për programin bërthamor si “një nga gabimet më të mëdha që kemi bërë vitet e fundit”. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet partnere duhet të përpiqen, në rastin ideal, të përdorin mjete diplomatike për ta kontrolluar situatën, tha Blinken.
Presidenti i sapozgjedhur iranian Masud Peseshkian u shpreh javën e kaluar pro fillimit të bisedimeve konstruktive me Evropën për t’i dhënë fund izolimit të vendit të tij. Ai tha gjithashtu se synon të ringjallë marrëveshjen për programin bërthamor.