Nga Ylli Pata
Kur dy vjet më parë, Artan Hoxha, publikoi audion drithëruese të bisedave të krerëve të Gardës së Republikës më 21 janar 2011, e ku urdhërohej të qëllohej në mish me fishekë luftarakë, në panelët e darkës nisi epopeja e relativizimit.
Fatos Lubonja tha se e gjitha është një makinacion elektoral i Partisë Socialiste për të fajësuar opozitën në prag të 21 janarit, ndërsa spin doktorët e jurisprudencës së para vettingut, nisën të tregojnë Kodin e Procedurës.
Jo, nuk mund të konsiderohet provë, jo nuk mund të quhet autentike pa bërë ekspertizën, jo prokuroria edhe mund të mos e marrin etj etj.
Ndërsa mbrëmë, ditën kur SPAK hapi dosjen që tashmë është vulosur nga ”Perëndia” e drejtësisë siç është Gjykata e Strasburgut, por edhe nga Gjykata jonë e Lartë, nisën avazin e parashikimit të konstelacionit të yjeve sipas shenjave të horoskopit.
Jo kemi të bëjmë me një çështje thjesht proceduriale, që ose do hetohet, ose do mbyllet, ose do të rikthehet në Prokurorinë e Tiranës për të hetuar subjekte që nuk i ka SPAK, e për të cilët vepra është parashkruar se ka kaluar 10 vjetëshi, e kështu ta mbyllim njëherë e mirë siç e mbylli Gjykata e Lartë e vjetër, që sot është thuajse e gjitha në pension.
Një standard i disafishtë që të ngjeth mishtë e të krijon një gjendje kaotike në tru, më keq se vapa mbytëse e këtyre ditëve.
Për këta ”ekspertë” e ”spin-doktorra”, zëri në videon me Dritan Priftin nuk është i Ilir Metës, edhe pse njerëzit e panë me figurë.
Katër qytetarët në bulevard nuk i vranë trupat e Gardës por Edi Rama që i solli përpara kryeministrisë.
Sipas tyre Fredi Beleri, edhe pse është kapur duke shpërndarë para para votimeve nuk e ka bërë, dhe policia nuk e ka arrestuar me urdhër të prokurorit, por e ka rrëmbyer.
Ama, kur deputeti Saljanji, organizon një parodi audio me dy gallataxhinj në një studio regjistrimi zëri, ku një aktor është Babalja e tjetri një shoku babales, ata thonë ja: është vëllai i Fatmir Xhafës.
E në këtë mënyrë ka nisur edhe epopeja e re e parashikuesve në ekran, që as nuk i ka dalë fjala qoftë për një ndeshje futbolli që ja bënte mu kush do të fitonte.
E bukura është se e gjitha ndodh në një terren ku thuajse e vërteta dihet plotësisht, madje ka firmën e organizatës më të aftë në botë në hetimin e krimeve të komplikuara-FBI-së Amerikane.
E cila ka nxjerrë përfundimin shkencor që plumbat që kanë vrarë 3 nga viktimat e 21 janarit kanë dalë nga armët e dy oficerëve të lartë të Gardës, përkatësisht komandantit Ndrea Prendi, si dhe oficerit tjetër të lartë të Gardës, Agim Llupo. Çështja që nuk është hetuar në këtë rast është se pse kanë qëlluar, kur ligji shqiptar për përdorimin e armëve të zjarrit e thotë qartë se arma përdoret vetëm nëse efektivi po sulmon po me armë vdekjeprurëse.
Ndërkaq, nuk është hetuar as fshirja e provave, që sërish është zbuluar qartë nga FBI dhe i është dorëzuar ekspertiza Kryeprokurores së atëhershme Ina Rama, si dhe roli i zyrtarëve të lartë: Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit. Vetë ministri i Brendshëm thotë jam gati të bashkëpunoj në hetim, ndërsa kryeministri deri tani ka thënë se do vrisja edhe Edi Ramën.
Në një hetim, fillohet me deponimet e palëve. Sot kanë deponuar kallëzusit, që është familja Nika, më pas të tjerët. Mjafton thjesht të tregojnë të vërtetën e tyre, për një vrasje që autorët fizikë të paktën për 3 viktima janë gjetur, e në rrugë është edhe rasti i Aleks Nikës. Siç shkruan Dostojeski, një krim kërkon ndëshkim, e jo parashikim…./TEMA
Mos u merr me nje te dale mendsh o Ylli Pata.Ai vusn nga sindroma e megalomanise dhe si perfaqsues i te vertetes abdolute. Ne dhall shkofsh o njeri i keq