Seanca plenare e kësaj të hëne (15 korrik) i është kushtuar punës së drejtësisë dhe raportit të këtyre institucioneve për vitin 2023. I pari që nisi raportimin ishte Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, i cili theksoi se problematikë për këtë institucion mbeten vakancat dhe volumi i lartë i dosjeve të mbartura.
Gjatë raportimit në Kuvend, Çela tha se mungesa e prokurorëve zë 38 % të numrit të tyre.
“Probleme nga vakancat për shkak të vetingut vijuan edhe gjatë 2023 dhe përbëjnë rreth 38 % më pak. Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Kjo shoqërohet edhe me ngarkesën e mbartur nga vitet më parë për volumin e dosjeve”, tha Çela.
Gjatë 2023 ka pasur ulje të procedimeve penale krahasuar me 2022. Sipas kryeprokurorit numrin më të lartë të procedimeve penale e mban Tirana, ndërsa shkallën më të lartë të kriminalitetin në vend e ka Vlora.
Ajo që vihet re nga viti 2022, tha Çela, është se në vitin 2023 kanë shënuar rritje të veprave penale veprat e tjetërsimit të tokës dhe krimet në fushën kibernetike.
“Gjatë 2023 janë trajtuar mbi 55 mijë materiale kallëzuese ose 9.4 % më pak se 2022. Numrit i procedime penale rezulton më im lartë në Tiranë me 35.12 % e totalit në shkallë vendi. Në fund janë Kukësi dhe Dibër ne procedimet penale më të ulëta. Për 2023, % më të ulet të kriminalitet e ka Dibra dhe më të lartë e ka Vlora. 31.71 % e përbejnë veprat e kundër sigurisë publike, vjedhja e pasurisë përbën 23.6 %, ku për të dyja veprat ka ulje nga 2022. Janë rritur veprat penale për tjetërsimin e tokës 12.86 % rritje dhe veprat në fushën kibernetike me 22. 35 %, në trafiqet e paligjshme 47.3 % dhe veprat e trafikut të narkotikeve 13.8 %. Gjatë 2023 janë dënuar mbi 7 mijë të pandehur”, tha Çela.
Lidhur me pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara përgjatë vitit 2023, Çela tha se “Rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona të paluajtshme, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2,53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfiskimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro”.
Sa i përket procedimeve për prodhim e trafik narkotikësh më problematike mbeten qarqet: Tirana, Lezha, Shkodra e Fieri.
“Në 2023 ka një rritje 13.8 % të numrit të procedimeve për prodhim e trafik të narkotikëve ku në krye është Tirana e ndjekur nga Lezha, Shkodra e Fieri. Numri më i vogël i procedimeve për trafik narkotikësh është në Sarandë e Gjirokastër”, u shpreh Çela.
/a.r