Kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i është përgjigjur në distancë kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kërkesat që ai ka bërë e të cilat i ka vënë në një dokument të cilin e ka siguruar KohaVisioni.
Ymeri në një intervistë në televizionin publik ka thënë se në rast të një mundësie të tillë, bartëse e listës do të ishte Vetëvendosje dhe jo AAK.
“Natyrisht që edhe kandidati për kryeministër edhe renditja në një listë të përbashkët eventuale që po duket se s’ka gjasa të ndodhë duhet të bëhet në bazë të kritereve të dakorduara më parë, e këto kritere duhet ta marrin parasysh edhe fuqinë përfaqësuese të subjekteve që nuk është e barabartë”, ka thënë Ymeri.
“Duhet ta marrin parasysh edhe qëndrueshmërinë dhe konsistencën e subjektit politik i cili prapë nuk është i barabartë”, ka shtuar më tej ai.
Sipas Ymerit, lëvizja Vetëvendosje natyrisht si subjekti më i madh politik i opozitës së bashkuar duhet domosdoshmërisht të jetë prijëse në këtë drejtim.
KohaVisioni në lajmet qendrore të 1 prillit, ka publikuar një “formulën” e AAK-së, ku përveç kuotës së ndarë mes partive opozitare që po pretendojnë të shkojnë me një listë bashkë me shoqërinë civile, kanë diskutuar edhe për ndarjen e posteve.
Sipas dokumentit që e ka hartuar AAK-ja, Vetëvendosje mund të zgjedhë mes bartësit të listës apo mandatarit të qeverisë, përcjell koha.net. Bartësi i listës është kandidat për kryetar të Kuvendit, i cili i takon njërës prej dy partive politike, Vetëvendosjes ose AAK-së.
I dyti në listë është mandatar për formimin e qeverisë dhe i takon asaj partie që nuk e ka bartësin e listës, Vetëvendosjes ose AAK-së.
Sipas propozimit të AAK-së, kuotat e listës zgjedhore do të jenë 40 vende për Vetëvendosjen, 40 për AAK-në, Nisma t’i ketë 20, ndërsa Shoqëria Civile 10. AAK-ja i ka renditur edhe parimet mbi të cilat synojnë të udhëheqin.