Gjatë një ndeshjeje futbolli mund të ketë edhe përplasje të ashpra mes lojtarëve. Në ndeshjen me Austrinë, Ergys Kaçe u largua me karton të kuq, për shkak të një ndërhyrjeje ndaj njërit prej austriakëve, që gjithsesi nuk mund të konsiderohet e tillë.
Por ajo shkelje e këmbës që Kaçe i ka bërë Aleksandër Dragoviçit, për shkak të një ndërhyrjeje në kohë vonesë të shqiptarit, ka bërë që “Kurir”, të publikojë fantazinë e radhës.
Media serbe ka nisur të bëjë aludime dhe lidhje që as në skenarët e një filmi të trilluar nuk do të përfshiheshin. Kjo media e ka etiketuar si kasap mesfushorin e PAOK, për atë ndërhyrje. Media serbe e ka shpjeguar si makabre atë ndërhyrje, sikur ajo të ishte e pahasur ndonjëherë në këtë sport dhe për më tepër sikur të kishte sjellë pasoja të rënda për futbollistin austriak.
Trillimi
Kohë më parë, Ergys Kaçe u shfaq në një foto me një mikun e tij, ku shqiptari mbante të veshur një bluzë me logon e UÇK-së. “Kurir” ka bërë lidhjen e asaj fotoje, me momentin gjatë ndeshjes Austri-Shqipëri. Media serbe ka shkruar se Kaçe e ka bërë atë ndërhyrje makabre, për shkak se është një futbollist që i urren serbët.
Sipas këtij shkrimi, Kaçe e ka bërë ndërhyrjen e rëndë për shkak se Dragoviç është një lojtar, mbiemri i të cilit vjen nga rrënjë serbe. Ata mundohen ta përforcojnë idenë e tyre me faktin që shqiptari nuk kërkoi ndjesë për veprimin e bërë në fushën e lojës.
Ndërhyrja e tij ishte e ndëshkueshme, ama aspak jashtë normave sportive, por kjo nuk është hera e parë që serbët e shfrenojnë fantazinë.
Koha Jone