I trishtë ka qenë lajmi për humbjen e gazetarit Isuf Kadriu, i cili gjeti vdekjen pas një sulmi kardiak në Shëngjin, teksa po konsumonte kafen e mëngjesit.
Në një lidhje direkte, ekskluzivisht për emisionin “Jetë Shqiptare”, ishte miku i tij ngushtë Ismail Sinani, i cili ndau për publikun dhimbjen e madhe dhe bisedën e fundit që kishte me kolegun e tij të ndjerë tashmë.
Intervista:
Sinani: Të them të drejtën më kapën mornicat, ditën e diel në mesditë shkova të vizitoj varrezat ku prehen prindërit e mi dhe në dalje të varrezave më merr një koleg tjetër gazetar, i cili e ka pasur mësues Isufin e më thotë “Bac Ismaili kam një lajm të trishtë për ty, Isufi na ka lënë, ka ndërruar jetë”
Ishte një shok për mua, pasi me Isufin njihesha që nga viti 1999 kur kemi filluar gazetarinë dhe pas orës 14:00 fillova të interesohem për detajet se si ka ndodhur dhe më treguan se sulmi në zemër i ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit rreth orës 08:00-08:30 kur ka pirë kafen e mëngjesit në lokalet e Shëngjinit.
Isufi ka qenë një njeri shumë i rregullt, ka bërë analizat e gjakut në mënyrë të vazhdueshme. Isufi nuk ka patur asnjë ankesë dhe bënte pasqyrën e gjakut në mënyrë të vazhdueshme dhe në takimin që kishte para disa ditësh më tregoi se i kishte çdo gjë në rregull, tamam si një djalë i ri.
Andri: Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me kolegun tuaj?
Sinani: Herën e fundit jemi takuar pas raundit të dytë të zgjedhjeve këtu në Maqedoni dhe po analizonim për rezultatet dhe në bisedë e sipër më tregon për planet e tij dhe ndër të tjera më tregoi edhe për pasqyrën e gjakut që e kishte bërë, sepse ai ishte shumë i rregullt dhe kujdesej për shëndetin e tij dhe nuk e përdorte makinën ecte në këmbë, ishte shumë vital, shumë njeri i gjallë. Kujdesej shumë për peshën trupore, nuk hante ushqime të yndyrshme, kujdesej për kolesterolin, sheqerin në gjak. Vdekja nuk është në dorën tonë dhe nuk na pyet neve, ishte njeri shumë i kujdesshëm.
Elona: Si do e kujtoni ju mikun dhe kolegun tuaj Isuf Kadriu?
Sinani: Një njeri shumë të mirë, shumë të ndershëm, në një kohë kur janë përmbysur të gjitha vlerat shoqërore, Isufi ka qenë një hero i vërtetë që është kujdesur vazhdimisht t’i ruajë vlerat njerëzore në një kohë ku shoqëria në të gjithë globin dhe posaçërisht në Ballkan po përjeton një traumë shumë të madhe transformimi, Isufi përpiqej t’i ruante vlerat njerëzore. Ka qenë i veçantë nga të gjithë ne, ka dalluar si një njeri shumë i matur dhe ka patur një brengë se ku po katandiset shoqëria, në fund të fundit ne gazetarët merremi me probleme shoqërore dhe nuk mund të ngelemi imun pa u prekur me të gjitha këto fenomene që ndodhin.
/a.r