Dy persona që vodhën dy turistë gjermanë janë identifikuar nga policia, ndërsa njëri prej tyre u arrestua, ndërsa tjetri për shkak të moshës do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Policia e Vlorës njoftoi se turistëve gjermanë iu vodhën një shumë parash, tabletë, celularë dhe sende të tjera në automjetin e e tyre.
Policia ka sekuestruar shumën e parave dhe sendet e vjedhura, dhe në bashkëpunim me Prokurorinë ua ka dorëzuar turistëve.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e dy turistëve të huaj, të parkuar në plazhin “Lapardha”, Lukovë, ishin vjedhur një shumë parash dhe sende personale, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm 22”, u bë e mundur identifikimi i autorëve.
Në vijim të operacionit u bë kapja dhe shoqërimi i autorëve të dyshuar, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i shumës së parave dhe i sendeve të vjedhura.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasit:
– F. Q., 18 vjeç, banues në Lukovë.
Ndërsa për autorin tjetër, 13-vjeçarin, nisi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë i kanë rikthyer shumën e parave dhe sendet e tjera të vjedhura dy turistëve gjerman, të cilët kanë falënderuar për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar për gjetjen dhe kthimin e sendeve të tyre.
Policia e Vlorës bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes në ruajtjen e sendeve të tyre personale dhe me vlerë, si dhe të telefonojnë menjëherë në numrat e policisë për çdo problem”, thuhet në njoftimin e Policisë.
SONDAZH