Ndërhyrja për shpëtimin e Urës së Zogut mbi Lumin Mat ka nisur. Punëtor dhe mjete kanë zbarkuar prej ditësh në terren, për zbatimin e projektit emergjent të qeverisë shqiptare me vlere rreth 46 milion lekë.
Fillimisht po punohet për ngritjen e këmbës së urës e cila është fundosur mbi 2.5 metra në lum, e më pas do të vijohet me përforcimin e saj. Ndërhyrja konsiderohet si mjaft e vështire dhe delikate, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar ura monument kulture i kategorisë së parë.
Pas ndërhyrjes emergjente kjo urë duhet të restaurohet plotësisht.
Ura e Zogut mbi Lumin Mat është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë.
Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë e mesme me atë të veriut.
Por nga vërshimi i ujit dhe shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte, vitet e fundit ky monument pësoi dëmtime të shumta duke rrezikuar shembjen e plotë, çka detyroi qeverinë shqiptarë që të miratoi një fond emergjent për shpëtimin e saj.
/a.r