Zyrtarë nga Kina dhe Shqipëria po diskutojnë vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë detare të transportit të mallrave midis portit të Shantou-t dhe atij të Durrësit.
Lajmin e bëri të ditur kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i cili po viziton Kinën.
“Fluksi i tregtisë ndërmjet dy qyteteve tona nuk është i lartë dhe sot ai kryhet nëpërmjet porteve tranzite dhe në Europë ndërmjet portit të Pireut. Mendojmë që fluksi duhet të jetë i drejtpërdrejt mes Shantou-t dhe Durrësit, pa ndërmjetësinë e porteve të tjera,” tha Dako, duke folur për CRI Shqip.
Ai gjithashtu vlerësoi nismën e Kinës “Një brez, një rrugë”.
Kryebashkiaku i Durrësit tha se “terminali i Shantou-t dhe ai i Durrësit takohen dhe mendoj se ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur infrastrukturën dhe kapacitetet e dy porteve tona.”
Dako kujtoi se qeveria shqiptare ka hapur garën për ndërtimin e zonave industriale ku janë të ftuar të marrin pjesë të investitorë nga e gjithë bota, përfshirë dhe Kinën.