Nga Bajram Peçi
Zgjedhjen e titullit e kam bërë i motivuar për t’ja drejtuar enkas gazetarit të RAI 3, Giorgo Mottola, i cili gjatë intervistës me kryeministrin Rama, u rrek tërë kohën të justifikohej se përmes pyetjeve haptas provokuese bënte detyrën për të mbrojtur demokracinë! Kemi të bëjmë zakonisht me një sjellje, që mediat, të shkruara apo vizive, u pëlqen ta marrin të mirëqenë, sikur roli i tyre është tërë kohën në mbrojtje të demokracisë, se askush nuk duhet t’a vërë këtë në dyshim, se ato janë syçelët në roje prej kërcënimit që pushteti u bën idealeve demokratike!
Ky përcaktimi, “…është dhe armë”, nuk bëhet për të fyer ndonjë gazetar, as për të akuzuar z. Mottola, por i kujton publikut të gjerë kujdesin për t’u ruajtur prej tyre, rrezik që kolosi i letrave botërore, Honore de Balzak, na e ka lënë të shkruar rreth 170 vjet më parë: “Gazeta, në vend që të jetë një mjet i lartë për t’i shërbyer shoqërisë, është bërë një armë në duart e partive, armë e kthyer në tregti dhe, si të gjitha tregtitë, ajo nuk njeh as fe as ligj”. Zëvendëso, lexonjës i nderuar, termin “gazetë” me TV RAI 3 dhe dëgjoi tingullin sikur të jetë shqiptuar sot!
Një status i tillë, i vetëveshur, i shërben gazetarisë si koracë mbrojtëse, kur ndjehet se sulmet e saj paskan patur një pasthënje. Gjithësesi, edhe kur ndonjë rast gënjeshtrash e shpifjesh në media (që janë të zakonshme) bëhet publike, statusi i tyre si pushtet i katërt as ka gjasa të cënohet!
Jam i bindur se z. Mottola e di mirë kur media zgjedh që publikimet në faqet e saj ose transmetimet të përdoren si armë vrasëse! Nga përvoja, e njeh atmosferën ndezëse që pushton mediat në prag zgjedhjesh, të cilat, ndonëse “të pavarura”, marrin anë, zgjedhin përkrahjet, mbi të cilat më pas mbushin “pisqollat” për të goditur kundërshtarët. Rasti juaj zoti Mottola nuk lidhet dhe aq me zgjedhjet, por me anësinë politike! Ndonëse televizioni juaj publik, me siguri e ka të ndaluar me ligj që të përdorë ekranin për ndikime politike, kjo se ka penguar aspak opinionin që t’ju shohë si të njëanshëm.
I mirëarmatosur për qëllimin, goditjen e kryeministres Meloni dhe kabinetin e saj, gazetari i RAI 3 shfrytëzon një protokoll-marrëveshje për strehimin e përkohshëm të emigrantëve që shkelin rishtazi tokën italiane. Meqenë se për një investigim të nivelit që do duhet të bëjë “tërmet” në opinion, ka gjykuar se kaq nuk mjafton, ndaj zotëria e tij takon, flet në telefon dhe mbledh nga gjithë kundërshtarët e Edi Ramës akuza?! Është e drejta e tij kjo, një drejtë që deformohet kur nuk je në gjendje të sjellësh prova, nuk orvatesh të vërtetosh te pala tjetër, në burime të tjera dhe mjaftohesh të përmendësh, pothuaj te të gjitha pyetjet, frazën: ka akuza se…! Janë dhjetra, por prej “Armatimit” po mjaftohem me ato “Peco Grossot”:
– Protokolli nuk ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh, është në shkelje të të drejtave njerëzore, është e gabuar, e kushtueshme dhe ka rreziqe të interesave mafioze!?
– Një funksionar i lartë i qeverisë, Ëngjëll Agasi, ka mbrojtur si avokat në Itali grupet e trafikantëve!?
– Massimo D’ Alema, ish kryeministri i Italisë, ka hapur biznes në Shqipëri, ka një shoqëri lobimi!?
-Mediat në Shqipëri i shërbejnë kryeministrit dhe sjell si shembull Report TV të publicistit të njohur, Carlo Bolino!?
– Kritiku dhe personaliteti i shquar i artit Italian, deputet i Parlamentit Italian në 4 legjislatura, Vittorio Sgarbit, i është premtuar ndërtimi i një hoteli!?
-Vëllai i kryeministrit akuzohet se është i përfshirë në trafikim droge!?
Kryeministri, i qartë për akuzat dhe tendencën e tyre, u dha përgjegjen e duhur. Do shtoja nga këndvështrimi publik i çështjeve, sa më poshtë:
-A është në dieni Mottola se marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët ju çua nga opozita Gjykatës Kushtetuese e cila, ashtu si dhe Parlamenti i Shqipërisë, e miratoi? Pse vallë përputhet akuza e RAI 3 për marrëveshjen, e bërë përmes Mottolës, me formulimin pa asnjë ndryshim të opozitës italiane?
-Ëngjëll Agasi ka ushtruar brënda ligjeve të kushtetutës italiane profesionin e avokatit dhe, siç dihet, ata mbrojnë këdo, me padi penale si kriminelë dhe kjo e mbrojtjes së të paditurve me transport droge është, si me thënë, lodër fëmijësh para mbrojtjes së një vrasësi! Pse vallë RAI 3 nuk përmend se periudha kohore kur mbronte ligjërisht trafikantë, jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me detyrën në qeveri, por mes tyre shtrihet një hapësirë goxha e madhe, për të mos të të lënë t’i ngatërrosh!?
– Është mëse e turpshme të ndotësh personalitete të Italisë, si Massimo d’Alemën dhe Vittorio Sgarbin, i nxitur nga qëllimi për të bërë pis edhe Ramën. Pa fjalë!
-A ka dieni z. Mottola se shumica e gazetave dhe TV-ve i përkasin opozitës, se një pjese prej tyre nuk ua ka ditur kush asnjëherë burimin fillestar të themelimit të tyre!? Ndryshe nga ata, Report TV i ka letrat mëse të pastra (ndryshe do ja kishin bërë me kohë gropën) dhe për dieni të z. Mottola, Report TV, falë pavarësisë së saj e profesonalizmit, është TV-ja më e ndjekur nga shikuesi shqiptar. Sa për Karlo Bolinon, RAI 3 dhe Mottola, duhet të ndjehen krenarë për ndihmesën e çmuar që ky profesionist i shquar i gazetarisë i ka dhënë demokratizimit dhe lirisë së shtypit shqiptar.
-Së fundi në radhën e argumenteve, akuzat për Olsi Ramën kanë përfunduar në prokurori, janë në hetim dhe ndaj ndjehesh i habitur pse ky padurim për t’jua kaluar hetimin gazetarëve! Idem dhe për akuzat e Ahmetaj se Rama ka patur lidhje me eksponentë të trafikut dhe ka pritur të tillë në zyrë. Prokuroria shqiptare ka kohë që e pret të vijë të dëshmojë, por edhe shqiptarët e presin!
Është e njohur, shumë e njohur, se qytetarët, kudo qofshin, madje më shumë ndoshta në Itali, janë të rrezikuar nga keqinformimi, nga gënjeshtra, nga manipulimi prej “analistëve të pavaruar”. Mediat ndikojnë në përpunimin e opinionit publik dhe në “bindjet” e individëve. Sot, me zhvillimet marramendese të portaleve të paregjistruara, pa kryeredaktor, ku askush nuk mban përgjegjësi, janë duke u zhvilluar pa kufi nën moton, “Shpif, shpif se diçka do të mbetet!”
Çdo gazetë, çdo television, e di se janë në gjendje të shkaktojnë ndikim te shtresat e popullit, sidomos te ato me arsimim të ulët, u përcjellin një realitet social, ekonomik që shpesh nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Kësaj shtrese TV-të e familjes u afrojnë çdo natë debate të neveritëshme, që ju janë besuar disa individëve po aq të neveritshëm. Këta, në TV, situatën politike, sociale dhe ekonomike e shpjegojnë dhe mbrojnë me anësinë e partisë ose grupit politik që i mbron, që i mbështet dhe që i paguan.
Shikuesi dhe lexuesi u mësuan t’i dallojnë qazetarët e lajmit, kush gënjen e kush shpif, kush bën deklarata të rreme për një person, që rezulton në dëmtimin e reputacionit të tij. Ajo si shpifje përbën një delikt ose krim, ndaj zotin Ëngjëll Agaçi e inkurajojmë që ta ndjeki me përkushtim padinë për shpifje ndaj RAI 3!
“U bëra gazetar-ironizonte mjeshtri i madh i humorit, gazetari Mark Tuein-sepse nuk ia dola dot të gjeja një punë të ndershme”.