Alba Malltezi
Herë pas herë duhet të kthejmë kokën dhe të rikujtojmë ku ishim dhe si ishim. Jo shumë larg! Të shohësh Shkodrën e Zadrimën me sytë e gazetarëve italianë të Linea Verde Sentrieri të së shtunës që sapo lamë pas, është një moment reflektimi dhe vlerësimi për ata shqiptarë që prej vitesh përmes punës dhe sakrificave kanë marrë në dorë tokën tonë të vrarë, e me kujdes, durim dhe pasion po bëjnë bashkë indet, po i mjekojnë e shërojnë, duke krijuar një realitet magjepës.
Marjana Koçeku në cepin e saj në parajsë në Liqenin e Komanit po shkëlqen si me llampën e Aladinit shtëpinë e gurtë të gjyshit dhe po e ndriçon bashkë me të edhe çdo gjë tjetër rreth e rrotull, Neomalsore, i thonë. Me siguri shumë të tjerë në atë zonë, dashtë Zoti, do ta kopjojnë.
Siç e kanë bërë shumë shqiptarë me shembullin e familjes Prenga me Mrizin e Zanave. Te Altini në Mriz është shëruar një plagë e madhe e të kaluarës sonë: Alergjia dhe neveria nga fshati, turpi që kishte mbërthyer gjithë shqiptarët të tregonin se ishin fshatarë.
Po, se fshatarët e të kaluarës sonë ishin ata të varfërit që zbrisnin “ilegalisht” në qytet duke u lutur pranë furrave të bukës: “O goce a ma blej gjys bukë gruri!”, sepse fshatarët punonin e lodheshin në kooperativa, por për ta jepej vetëm racion bukë misri, sepse shitëset e pamëshirshme të furrave të bukës në qytet dinin t’i dallonin nga veshjet e varfëra, fytyrat e përzhitura e duart e plasura nga puna në kooperativë. E kur për ta erdhi koha e largimit masiv, fshatarët tanë të përvuajtur flakën çdo gjë për t’u larguar nga ajo varfëri, por mbi të gjitha nga ai përçmim i padrejtë: Vetëm fakti i të qenit Fshatar!
Kush sot punon me përulje dhe përkushtim të shërojë këtë plagë, meriton respektin më të thellë, pasi po bën një punë të lodhshme, të vështirë, që në fakt, me t’u shpërndarë anembanë, do t’ja mbajë pafundësisht kokën lart gjithë vendit tonë. Sepse puna mbetet, ndërsa fjalët e të tjerëve që nuk punojnë, ikin pa lënë asnjë gjurmë si shiu i lehtë i verës.