Kuvendi i ka ndërprerë Sali Berishës përfitimet financiare që i takon çdo deputeti, përfshi edhe pagën, pasi ish-kryeministri nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave plenare, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare apo çdo veprimtari tjetër që lidhet me të si ligjvënës. Vendimi për ndërprerjen e pagesave ka lidhje me vendimin e GJKKO-së.
Masa financiare ndaj Berishës nga administrata e Kuvendit është aplikuar që prej janarit 2024, ndoshta si një përllogaritje edhe për kohën se kur ai mund të humbasë mandatin e deputetit, me një mungesë në punimet e Kuvendit prej 6 muajsh.
“Referuar statusit të deputetët dhe vendimi nr. 114/2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të ndryshuar deputeti Sali Berisha nuk i paguhen përfitimet si karburanti dhe telefoni për shkak të masës së sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim nr. 520 datë 30.12.2023”.
Kjo ishte ndalesa e parë financiare që u aplikua nga Kuvendi ndaj Berishës.
Me një përllogaritje të thjeshtë, ish-Kryeministri nëse nuk arrin të marrë pjesë në seancat e mbetura deri në 11 qershor, ai plotëson kohën e plotë të mungesës në Kuvend, çka do të thotë se për të nis procedura e humbjes së mandatit të deputetit.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.
Berisha pretendonte se masat ishin anti-Kushtetuese, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë leje nga Kuvendi për të kufizuar veprimtarinë e tij si deputet.
Dhe pasi SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi që u miratua, Prokuroria Speciale vendosi të aplikojë një masë më shtrënguese, atë të arrestit shtëpiak, që është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën e Lartë.
SPAK po heton procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa fillimisht arrestoi dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, për të cilin Apeli i GJKKO-së, vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” sikundër kishte firmosur gjyqtarja Irena Gjoka, në “arrest shtëpie”.
Ndaj Berishës dhe Malltezit SPAK po heton për vepra penale të lidhura me pastrimin e parave dhe korrupsionit, të kryera në bashkëpunim.
Çdo gjë mund të jetë kjo.Ama vetëm drejtësi nuk është. Nuk më lidh asgjë me Berishën,po vendos në vend të tij një dosido. Formulo aktakuzë. Vërtetojë. Vendos masë sigurie. Kjo është drejtësi.