Jakup Shahu, i cili herët mëngjesin e sotëm tentoi të vrasë gruan e tij, duke e qëlluar me thikë në qafë dhe trup është një emër i njohur për policinë shqiptare.
52-vjeçari Jakup Shahu, në vitin 2011 është dënuar me 13 vite burg pasi ka vrarë Arjan Mejdanin. Ngjarje e ndodhur më 7 shtator të 2011 në Selitë.
Tragjedi atë kohë u shënua, pas debateve të vazhdueshme që kishte bashkëshortja e autorit me bashkëshorten e viktimës, pasi pretendonin për tradhti bashkëshortore.
Burime për media atë kohë raportonin se Jakup Shahu, i cili sot dhunoi bashkëshorten, atë kohë kishte lidhje me bashkëshorten e viktimës. Gruaja e Shahut kishte zbuluar tradhtinë dhe kishte shkuar që t’i kërkonte llogari gruas tjetër. Ato u përplasën fizikisht me njëra-tjetrën. Sherri vijonte sa herë që dy gratë përballeshin në rrugë apo kudo.
Pasi bashkëshortët dëgjuan përplasjet që gratë kishin, viktima Arjan Mejdani, ka shkuar që të sqarohet me Jakup Shahun. Dy burrat kanë nisur të debatojnë, kur në mes është futur gruaja e Shahut dhe ka treguar se burri e ka tradhtuar me gruan e tij, gjë që çoi në përplasjen fizike.
Dy ditë pas kësaj përplasje autori dhe viktima do takoheshin në lokal, ku pasi u dhunuan me sende të forta Jakup Shahu ka marrë armën dhe ka qëlluar Arjan Mejdanin duke i shkaktuar vdekjen.
E pas disa vitesh, sërish Jakup Shahu bie në prangat e policisë, këtë herë për dhunë në familje. Dyshohet se Shahu qëlloi disa herë me thikë në qafë dhe trup bashkëshorten e tij, 46-vjeçaren E.SH, pas një debati për shkaqe xhelozie.
Çifti janë prindër të një fëmije, por që në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në banesë.
“Më datë 23.05.2024, rreth orës 02:15, në rrugën “Xhanfize Keko”, shtetasi J. Sh., 52 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës në trup dhe në qafë, bashkëshorten e tij, shtetasen E. Sh., 46 vjeçe.
46-vjeçarja ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë”, njoftoi policia më herët./m.j