Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në rrjetet sociale për mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku po raporton kreu i SPAK, Altin Dumani.
Kreu i PD-së, z. Basha ka sulmuar deputetet të pranishëm duke thënë se, “Ata që liruan me amnisti të korruptuarit e dënuar nga SPAK/GJKKO po marrin në pyetje SPAK-un”.
Basha, kërkoi edhe njëherë që Kuvendi të përfshijë propozimet e PD për fuqizimin e SPAK që mbahen në sirtar në mënyrë të pashpjegueshme.
“Ata që liruan me amnisiti të korruptuarit e dënuar nga SPAK/GJKKO po marrin në pyetje SPAK-un. Nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përkundrazi, mbajnë bllokuar nismat ligjore të PD-së për t’i ardhur në ndihmë SPAK-ut dhe BKH-së” tha ai
Në këtë kuadër Basha theksoi se ,”bëjnë sikur kërkojnë shpejtësi hetimi për korrupsionin nga SPAK-u, por fusin kokat poshtë tavolinave për nismën e PD-së për heqjen e imunitetit. Sepse duan t’u japin kohë të largohen të korruptuarve siç bënë me Arben Ahmetajn”.
Duke shprehur angazhimin e tij për mbështetjen ndaj SPAK, kreu i demokratëve shkruan se, “PD-ja qëndron e vendosur në mbështetje të SPAK-ut dhe BKH-së nëpërmjet propozimeve dhe amendamenteve të saj. Vetëm kështu do dalë në shesh e vërteta e atyre që duan vërtet drejtësi dhe hipokritëve të politikës 34-vjeçare që fshihen pas gishtit dhe në momentin e parë bëjnë gjithçka për ta sabotuar punën e drejtësisë”.
/a.r