Shirat e munguar dimrin e lënë pas ulën sasinë e energjisë së prodhuar në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se në harkun e muajve janar-mars, nga hidrocentralet publike dhe ato private, bashkë me panelet fotovoltaike u përftuan më pak se 2.5 milionë megavat-orë energji elektrike. Në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë u prodhuan gati 2.8 milionë megavat-orë energji elektrike, 11.1 për qind më tepër.
“Të dhënat tregojnë se 46 për qind prodhimit u gjenerua nga HEC-et private dhe pjesa tjetër nga ato publike”, tha Azmer Duleviç, inxhinier elektrik.
Me reshjet më të pakta se një vit më parë dhe diellin që shpesh krijoi copëza vere në dimër, në harkun e muajve janar-mars u prodhua më shumë energji nga panelet fotovoltaike. Në tre muaj, energjia e prodhuar nga dielli arriti në gati 19 mijë megavat-orë nga rreth 16 mijë e 500 në po të njëjtën periudhë kohore një vit më parë.
“Kjo është pozitive , por sërish duhet të themi se jemi ende larg objektivave për diversifikim të prodhimit të energjisë elektrike”, shtoi inxhinieri.
Ndërkohë niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 3-mujorin u regjistrua në 19.3 për qind, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo si pasojë edhe e investimeve të kryera.
“Investimet ulin nivelin e humbjeve teknike.. Ama duhet sërish të themi që në raport me Rajonin, mbesim në nivele më të larta”, tha Duleviç.
Si pasojë edhe e turistëve jashtë-sezonalë, në harkun e muajve janar mars u konsumua më shumë energji se një vit më parë. Konsumi total i energjisë, duke përfshirë të gjitha kategoritë për 3-mujorin arriti në rreth 2.2 milionë megavat-orë, 3.3 për qind më tepër se vjet.
/a.r