Nga Jakin Marena
Tashmë është kthyer në rutinë protesta e Rithemelimit dhe e Partisë së Lirisë çdo të martë përballë bashkisë së Tiranës.
Mblidhet pak njerëz, mbajnë fjalime me radhë, hypin dhe në ndonjë podium të improvizuar nën ‘rrezen’ e kamerave, hedhin molotovë dhe mjete të tjera piroteknike, kërkojnë largimin e kreut të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, plagosin ndonjë punonjës të forcave të sigurisë dhe pastaj shpërndahen.
Lënë pas re tymi dhe pajisje të shpërthyera të molotovit dhe mjeteve të tjera pirotektike, mbeturiana patatinash, ndonjë lëkurë bananeje, ndonjë letër mbështetjellëseje sufllaqesh, që me gjithë luftën e pakompromis që presidenti i Partisë së Lirisë u ka shpallur, vijojnë të ‘qarkullojnë’ dhe në protestën e kësaj pjese të opozitës përballë bashkisë.
Këto mbetje i pastron me pas bashkia e Tiranës me shpejtësi, e gjithçka mbyllet. Secili i lumtur në punën e vet. Dikush ka radhën e ‘dezhurnit’ tek “Rrugica e Salës”, para pallatit ku Berisha është izoluar nën arrest shtëpiak nën akuzën për korrupsion pasiv, dhe duhet të mbledhë forcat për të përballuar fjalimin e përnatshëm të Doktorit për “revolucionin përmbyllës”. Ndoshta mund të sforcohet dhe të bëjë ndonjë poezi, nëse i ka ardhur radha për të mbajtur fjalën, një ‘angari’ që sa vjen e bëhet e mërzitshme dhe për vetë mbështetësit e Berishës. Pasi dhe mjaltë të hash çdo pasdite para pallatit të Berishës, të mërzitet aq shumë, sa vjen një moment që as emrin nuk do t’ia përmendësh, e jo më ta konsumosh.
Dikush tjetër merret me ndonjë biznes apo ndonjë takim të rëndësishëm me ‘armiqtë’ për të marrë ndonjë punë miliona euroshe, dikush merr makinën mbi 70 mijë euroshe e shkon në njërën nga banesat, sa në Lalz, sa në Qerret, sa në Himarë, sa në Sarandë apo në periferinë luksoze të kryeqytetit. Vuajtje opozitari i thonë dhe kësaj.
Ka dhe halle të tjera për këta protestues dhe liderët e tyre, disa prej të cilëve do të duhet patjetër t’i futen palestrës, të marrin malet apo dhe të thonë dhe gjëra që nuk i kishin menduar më parë për të plotësuar kushtin kryesor për të qënë pjesë e Partisë së Lirisë. Duhet të përdorë dhe termin ‘tradhëtar’ në fakt.
Ka dhe të tjerë që kanë halle vërtetë të mëdha. Sepse kanë një mal me akuza në SPAK, dhe po bëjnë dopio-përgatitje, si të të fshehin pasurinë duke e shpërndarë nëpër ‘bedelë’ që janë të kategorive të ndryshme për ta ‘pakësuar’ në mënyrë fiktive që të mos i rëndojë shumë përballë prokurorëve, por dhe ushtrohen se si të përballojnë sa më lehtë qelinë. Që po arritën ta ‘kapin’, nuk e lëshojnë më këtë ‘banesë’ për shumë e shumë vite, aq zullume kanë bërë.
Por një gjë fare të vogël nuk po arrijmë ta kuptojmë për hir të së vërtetës: Përse protestohet përballë bashkisë së Tiranës, dhe pse kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt?
Përgjigjia e parë që na vjen në mendje, ata që bëjnë protestë as marrin mundimin ta sqarojnë, është se zhvendosja e “shënjestrës’ nga Edi Rama, kryeministri socialist dhe që sipas Berishës, Metës e paneleve mbështetëse nëpër ekranet televizive e në grupimet politike të kësaj pjesë të opozitës është ‘rrënja e së keqes që ka vendosur një regjim autokratik”, tek Erion Veliaj kreu i bashkisë së kryeqytetit një drejtues vendor ky socialist, tregon qartë se opozita i ka ‘larë duart’ me pushtetin. Madje për një kohë shumë të gjatë.
E themi këtë sepse një opozitë serioze dhe që pretendon të vijë në pushtet apo sëpaku të përgatisë terrenin për të ardhur në pushtet ndonjëherë ka paritet të luftës politike, godet atë që ka pushtetin. Apo siç i pëlqen kësaj pjese të opozitës, mbështetësve të tyre por dhe opozitës në përgjithësi, godet Edi Ramën kryeministër, ‘kokën e këtij regjimi’, i cili sipas tyre ka në dorë të gjitha pushtetet. Dhe nuk i bën ‘fajde’ kësaj opozitë asnjë moment që të harxhojë kohë dhe nerva me një kryebashkiak, pasi ndonëse drejton bashkinë më të madhe në vend, Tirana është një ndër 55 bashkitë që kanë fituar socialistët nga 61 bashki që ka në tërë Shqipërinë.
Momenti tjetër është se çfarë mendon se fiton kjo pjesë e opozitës duke protestuar para bashkisë së Tiranës dhe kërkuar dorëheqjen e kreut të saj Erion Veliaj.
Eshtë e vërtetë që janë disa ish drejtorë të bashkisë që janë nën hetimin e SPAK, janë arrestuar nën akuzën se kanë përvetësuar miliona euro përmes abuzimit me pushtetin që kanë pasur në bashkinë e Tiranës. Janë nën hetimin e SPAK, dhe është e sigurtë, që dhe sikur të qëndrojnë ditë-natë protestuesit e Berishës dhe të Metës, nën menaxhimin e kryetares në terren Argita Berisha Malltezi, Prokuroria e Posaçme as nuk do ta shpëtojë dhe as nuk do ta ngadalësojë hetimin nën presionin e këtyre protestuesve. Dhe as që do të ndikohet nga deklaratat e Berishës në majë të ballkonit apo të Metës dhe të tjerëve jashtë izolimit. Do të vijojë punën e vet sikurse e ka nisur, ku në gjykatë mund të shpallen të fajshëm dhe të dënohen, ose të pafajshëm dhe të gëzojnë jetën e tyre të lirë.
Ka qënë dhe vetë Veliaj në SPAK, ka qëndruar 8 orë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve dhe hetuesve të SPAK, duke vijuar trendin e integritetit dhe respektit që kjo mazhorancë tregon ndaj institucioneve të reja të drejtësisë. Ka deklaruar atë që di, jo si i akuzuar për hir të së vërtetës. Ka dhënë shpjegime për SPAK që nga inceneratorët e deri tek kjo e ish drejtorëve.
SPAK nuk pyet as për opozitën, as për kryebashkiakun Veliaj, as për kryeministrin Rama në lidhje me këto hetime. Nuk e ka ‘pultin e komandimit’ SPAK as në kryeministri, as në majë të ballkonit të Berishës, as në selinë e Metës drejtësia e re, por në Uashington, Bruksel e Londër. Si mbështetje e kemi fjalën. Marrin dhe rroga faraonësh dhe s’kanë nga ia mbajnë pa e bërë punën.
Pra pse proteston Rithemelimi i Berishës dhe PL e Metës para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të saj Veliaj, kur nëse pretendon për të ardhur në pushtet përmes goditjes së kësaj qeverisjeje, sipas rregullave të politikës dhe të Zotit, duhet që të ketë ‘shënjestër’ kreun e kësaj qeverisjeje, Edi Ramën. Apo s’ka çfarë i bën Ramës, i cili i ka mundur deri më tani, dhe gjasat janë që të qeverisë dhe përtej 2030-tës. Derisa të tërhiqet vetë.
Fundja Veliaj është në mandatin e tretë në krye të bashkisë së Tiranës, është sipas Kushtetutës në mandatin e fundit në këtë njësi qeverisëse vendore. Ai në pranverën e vitit 2027 e dorëzon vetë drejtimin e bashkisë. Dhe do të integrohet sipas rregullave të një partie politike si kudo në botë, ose në funksione të tjera ekzekutive, gjithnjë nën qeverisjen e Ramës, ose në ato partiake. Nëse PS ndjen nevojën e kontributit të tij në nivele të larta. Apo siç kanë dëshirë ta thonë Berisha, Meta dhe mbështetësit e tyre, nëse do të dojë Rama, meqë e quajnë autokrat dhe në parti. Megjithëse vetë Berisha dhe Meta kanë kohë që kanë hequr dorë nga zgjedhjet në partitë apo grupimet e tyre politike, dhe operojnë vetëm me emërime. Që nga posti më i lartë e deri në postin më të ulët.
Ndërkohë që në PS bëhen zgjedhje e jo emërime, siç ka bërë Berisha për 33 vite dhe që tashmë po kalon 100 përqind të aksioneve të Rithemelimit në dorën e vajzës, pasi dështoi me emërimin e Bashës në krye të PD si pasues të tij, duke zhvendosur të ndjerin Olldashi. Apo Meta që për gati 30 viteve postin që ka pasur vetë ia ka kaluar bashkëshortes Kryemadhi. Ky i fundit e ka ‘kuptuar’ më në fund se është nepotizëm dhe e ka shpallur Kryemadhin tradhëtare, pavarësisht se është kontributore në politikë Monika. Por e la jashtë strukturave drejtuese të PL.
Pra me një Ramë me ‘syrin kokërr’ për të qeverisur edhe përtej vitit 2030, në krye të PS dhe të qeverisjes së vendit, i mundësohet me pash kjo pasi me këtë opozitë që ka përballë fiton sa herë të bëhen zgjedhje, dhe në 12 të natës, pse Rithemelimi dhe Meta protestojnë përballë bashkisë së Tiranës dhe kërkojnë dorëheqjen e Veliajt, i cili sipas Kushtetutës dhe pak më shumë se dy vite do të qëndrojë në krye të kësaj bashkie. Apo ‘dysh’-it hipotetik të PS siç po thuhet fort nga opozita. Që me shumë gjasa ai dhe shumë të tjerë do të presin gjatë, shumë gjatë derisa Rama të tërhiqet në jetën e tij private, derisa të ketë realizuar objektivat e tij madhore në krye të PS në shërbim të vendit, të cilat i ka deklaruar kohë pas kohe, dhe që parashikohen të realizohen shumë përtej vitit 2030.
Pra pyetja është e thjeshtë se pse Berisha e Meta protestojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e kreut të bashkisë së Tiranës Veliaj, një rast i paparë në manualet politike, pasi opozita involvohet për t’u përballur me liderin e mazhorancës, ndërsa këtu angazhohet kundër një kryetari bashkie?
Çfarë përfiton me këto protesta përballë bashkisë ku as SPAK nuk ndikohet për hetimet dhe as Rama, dhe sikur Veliaj të ikë që tani, nuk ikën PS nga pushteti qëndror dhe as në Tiranë, pasi të gjitha sondazhet e nxjerrin dyfishin e mbështetjes së gjithë opozitës bashkë, vetëm si PS e vetme. SPAK ka dërguar në qeli apo në arrati ish ministra deri e ish zv.kryeministër, ish deputetë dhe ish kryetarë bashkie përfaqësues të PS, dhe Rama e PS nuk ranë asnjë votë, por fituan akoma më thellë në përballjen elektorale të radhës pas këtyre goditjeve të SPAK nën akuzën për korrupsion, në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, por dhe sot që po flasim po njohin vetëm rritje në sondazhet serioze që zhvillohen herë pas here.
E vetmja përgjigjie që mund të japim për tërë këto pyetje është se kjo opozita ka kohë që e ka humbur ‘erën’ e pushtetit dhe nuk e çon as nëpërmend të bëhet alternativë pushteti. Madje e mendon veten shumë gjatë në opozitë. Thjeshtë merr ndonjë përfitim andej këndej, dhe mbi të gjitha partia apo grupimi politik përdoret si mbrojtje përballë akuzave që ka ngritur SPAK.
Nuk besojmë as në atë që pretendohet se kjo opozitë po i sheh zhvillimet politike në perspektivë, pasi ka dështuar që në krye të herës me veten që nga zgjedhja e lidershipit e duke iu ‘dorëzuar’ çdo kauze që del i rrugës, jo më të parashikojë perspektivën e PS në të ardhmen, që do të jetë në një qeverisje të gjatë kohore. Aq më tepër që deri atëherë mund të kenë ‘rrjedhur’ shumë ujra.
Ndaj dhe këto protestat e Rithemelimit dhe të Partisë së Lirisë përballë bashkisë së Tiranës ku kërkohet dorëheqja e Veliajt i shohim thjeshtë dhe vetëm si një përpjekje për të qënë prezente në media përmes zhurmës që bën. Pra për t’u gjendur ‘Kola në punë’ dhe asgjë tjetër. I ngrenë dhe ndonjë pikë politike Veliajt në fakt, megjithëse ka mjaftueshëm për shkak të punëve që ka bërë dhe po bën në krye të bashkisë së Tiranës që nga viti 2015.