Nga Elisa Spiropali
Unë nuk kisha ndërmend as të replikoja, as të flisja pasi përgjithësisht deputetët i janë përmbajtur rendit të ditës edhe po vijojnë diskutimet.
Por edhe njëherë, si përherë ju u futët në një debat me tema ku në po të njëjtën mënyrë që ne na ndan pafundësisht nga njeri-tjetri, edhe sot dëshmuat më qartë se kurrë se sa e ndarë është rruga jonë sa i takon drejtësisë.
Madje ju ndan në ato që thoni edhe gjindja, sepse ç’thotë njëri, nuk thotë tjetri dhe ç’thoni në mëngjes, ju e mohoni në mbrëmje. Lundra juaj që po merr ujë ka humbur edhe orientimin.
Paradite në revolucionin me orar te Bashkia e Tiranës, në rrugën “Murat Toptani”, ju i kërkoni SPAK-ut të arrestoje Veliajn. Në darkë, tek rrugica e doktorit, në rrugën “Mustafa Matohiti”, ju si grup deputetësh mallkoni SPAK-un si organizatë kirminale.
Për mos të folur për gardistët e kuq që shoqërojnë Sali Berishën si të pandehur në dyert e SPAK dhe bërtasin “poshtë, poshtë SPAK” dhe po të njëjtët gardistë të kuq, që kur paraqiten aty funksionarë të tjerë apo kryetari i bashkisë, bërtasin me të madhe si në skenat e revolucionit kinez me pështyma, “në burg qeni”.
Po çfarë standardi është ky?! Kujt ia shisni ju këtë standard në raport me drejtësinë, ju që personalisht ngriheni këtu dhe na bëni ne moral për Reformën në Drejtësi, të cilën fillimisht e kemi votuar me 140 vota, por sigurisht ne me kokën lart, ju me kokën poshtë, të detyruar nga ata që ju I mallkonit nga mëngjesi në darkë, ambasadoren amerikane të asaj kohe dhe ambasadorin e BE-së. Siç vijoni edhe sot të mallkoni o në maj të paraleleve o në maj të penxhereve të gjithë ambasadorët në këtë vend dhe krerët e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Ky është standardi juaj? Kjo është koherenca juaj në raport me drejtësinë?! Këtë i shisni ju shqiptarëve?!
Dhe keni një marrëdhënie kaq të ndërlikuar me të vërtetën sa nuk po mësoni t’i thoni ditës, ditë dhe natës, natë. E bëni sipas interesit tuaj: Armiqtë në litar, armiqtë në burg, shokët ë partisë të lirohen menjëherë. Kujt ia drejtoni ju gishtin?
A kemi rënë dakord që duhet të kemi një sistem drejtësie ndryshe nga ai që kemi patur këto 32 vjet, që nuk është I kapur prej fyti nga politika, që I jep fund pandëshkueshmërisë dhe bën drejtësi. Drejtësi me standarde, me proces të rregullt ligjor, duke respektuar të drejtat Kushtetuese dhe të njeriut, po për të gjithë njësoj, nga ai që kapet me dy cigare hashash dhe mbyllet brenda pa afat e pa shprese, e deri tek ai që ka qënë kryeministër, president dhe kryetar parlamenti ai tjetri që ulëret nga mëngjesi në darkë kundër drejtësisë, kundër SPAK-ut, kundër atyre që po japin shembull ditë pas dite, sigurisht me problematikat e një institucioni të ri po vendosin standardin e luftës kundër pandëshkueshmërisë.
Duke thënë këtë unë nuk ju akuzoj juve personalisht. Nuk akuzoj as Gazin, as Flamurin e askënd tjetër që folën sot këtu, madje nuk akuzoj as atë të penxheresë, të ballkonit shekspirian, që pasi i dha vetes emrin e presidentit, kryeministrit, kryetarit të përjetshëm të partisë, tanimë kupton se nuk ka asnjë shans për asnjë lloj ballafaqimi më me Partinë Socialiste, flas për ballafaqim elektoral dhe moral, edhe së shpejti në betejën e nesërme do dalë ashtu siç është, si i ati i Zeqos në majë të thanës, po shqetësoheni të gjithë bashkë për alibinë e humbjes, sigurisht nën ombrellën e sulmit ndaj SPAK-ut dhe ndaj drejtësisë.
Thjesht po ju dëshmoj një të vërtetë të madhe që ju po e thoni me plot gojën sa herë që flisni, ju dëshmoni me çdo fjalë që thoni hendekun e madh që ekziston midis nesh dhe jush në dy skaje të ndryshme të qëndrimeve ndaj partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe Drejtësisë së Re.
Edhe bërtitësit e sotëm edhe ish bilbilsat e djeshëm, edhe molotovët kudo e kurdo i hidhni, nuk janë të mjafttë të mbushin të gjithë hendekun politik, moral dhe strategjik që ju keni me ne dhe Partinë Socialiste. Megjithëse ju e dini që nuk është faji juaj, sigurisht që fajin e ka ai I ballkonit, por nëse mundeni, edhe në këtë detaj, përpiquni të keni arsye. Edhe pse ju dhe humbja jeni ne nje binom të pandashëm nuk mund t’ua përmendësh fjalën disfatë (se nuk është ky vendi) sepse jeni njesoj si ai binomi kur thua Parta Demokratike ke thënë Saliu.
Dhe unë sot nuk dua të hyj shumë thellë në këtë shqetësimin tjetër që besoj e tejkalon edhe temën e ditës për kulturën tonë ende të vjetër jo vetëm të komunikimit, por të qasjes ndaj drejtësisë. Ka një ndjesi të përgjithshme hakmarrjeje, paragjykimi, represioni mbizotrues që e frymëzoni ju më së shumti, por edhe mediat e paguara nga ju, edhe portalet që i mbani me aq kimet, qoftë në shoqëri, qoftë në politikë, qoftë në media, qoftë në disa segmente të drejtësisë. I dyshuari për një krim apo për një parregullsi të caktuar parakonsiderohet fajtor dhe lincohet, i bëhet gjyqi publik pa asnjë konsideratë për të drejtat e tij njerëzore, kushtetuese, duke shkelur me të dyja këmbët prezymimin e pafajsisë.
Shpesh, në disa raste për njerëz që janë pa mbrojtje politike, se nuk po flas vetëm për politikan, ai përfundon në paraburgim dhe pastaj pret që t’i vijë radha nga prokurori apo gjykatësi etj, por ndërkohë gjyqi i është bërë, gjyqi publik i është bërë pa asnjë konsideratë për dinjitetin e këtij apo të saj. Dhe këtë frymë ne si deputetë të këtij Kuvendi, ne si politikanë, ne duhet ta zhbëjmë jo për njëri dhe për tjetërin, po për të instaluar atë që fryma e reformës në drejtësi ka dashur të sjellë, përveç gërmës, për të vënë drejtësi. Jo për ta përdorur drejtësinë, ata në të drejtën e tyre duhet të bëjnë punën e tyre dhe duhet ta bëjnë deri në fund për këdo që ka shkelur ligjin, për këdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve. Por gjyqet publike janë një farsë, janë një turp, janë elemetë të revolucionit kulturor kinez, ku gardist të kuq përpara se njerëzve t’iu bëhej gjyq dhe gjykata ti gjykonte, i pështynin, i turpëronin publikisht.
Kush jeni ju more zotëri që nga një anë bërtisni lironi liderin e opozitës se pashë që kishit ardhur me bluza të veshura këtu dhe në anën tjetër bërtisni për kundërshtarët, konkurrentët tuaj politik jo vetëm ky në burg por edhe kjo, edhe ky edhe ky tjetri, pa patur asnjë fakt, pa pasur asnjë të drejtë, pa qenë prokuror, pa qenë gjykatës. Dhe për këtë ne duhet ta bëjmë debatin edhe për ato para të pista që hidhen vazhdimisht vu në mjedisin tonë politik dhe mediatik për të ndikuar në procese politike, për të sulmuar njëri-tjetrin, për tu bërë mish për top, për luftra të jashtme e të brendshme brenda partive politike, duke krijuar në narrativën tonë kombëtare, te njerëzit, nëpër ekrane, kudo, një ndjesi të keqe të një lufte që nuk ka të bëjë as me të drejtën, as me luftën ndaj pandëshkueshmërisë, as me procese të drejta ligjore, po vetëm me beteja politike partiake elektorale që tani kanë marrë një formë tjetër.
Kaq kisha dhe besoj se reflektimi për sistemin e drejtësisë nuk do t’iu vi vetëm këtu në kuvend, por do t’iu vijë dhe me votë se njerëzit dinë ti ndajnë dhe dinë të votojnë si për ata që çfarë thonë ditën nuk thonë natën, si për ata që ashtu siç flasin edhe sillen.