Nga Frrok Çupi
Këta bëjnë lojën e hënës për kundruall SPAK. Aq më tepër që edhe ish presidenti Meta e caktoi orën kur do të jetë aty, bash në orët e mbrëmjeve me hënë. Se loja me hënën nuk ka rëndësi sa i këndojnë, sa e shajnë e sa e sulmojnë; hëna rri në qiell ndërsa këta ‘të lojës’ kanë shkuar në moskthim. Sado që këta e sulmojnë SPAK-un; e gjuajnë me gurë, e shajnë si ‘grup terrorist’, si ‘SPAK torollak’, megjithatë është i njëjti qëndrim si ata nën hënë. Plot qenie në këtë jetë, sa ç’janë frymëzuar, ashtu edhe i janë sulur satelitit tonë ndriçues. Këtyre u duket se hëna po ecën qiellit e shpejt po mbytet në det, diku në Perëndim. Por në fakt është e kundërta: SPAK do të jetë edhe kur nuk janë këta. Kështu ka nisur puna, që këta po vihen në radhë drejt Drejtësisë (SPAK, prokurori apo gjykatë), nga më i fundit te i pari, nga më i rëndi te më i pa rëndi. Askush që ndodhet në radhë nuk mund të jetë më i fuqishëm se të gjithë.
Loja e presidentit të parafundit me presidentin e parë të pas- viteve ’90 mban të fshehur një kod. Kodi është ky i radhimit: Qeveritë që ndërtuan organizata kriminale do të shkojnë pas të parit, një nga një: Kush firmosi aferën, kush dëboi atë që nuk firmosi, kush përfitoi për vete dhe për bosin…, të gjithë. Sali Berisha dhe Ilir Meta kishin ndërtuar jo një, por dy qeveri të ndërkallura në njëra tjetrën, e prandaj dukej si një qeveri. Secili kishte ngritur piramidën e tij, me ministra dhe familjen biologjike. Edhe dy vilat e mëdha në Lalëz i kishin ngritur b&b, si shenja mafioze: ‘Shihemi sy për sy’. Radhimi i Metës poshtë ballkonit të Berishës është vetëm simbolika e radhimit. Këta të radhës së parë janë ‘të vdekur’, ndërsa ata që presin radhën janë vetëm hije e këtyre të parëve. Nuk ka asnjë lajthitje në radhim; të gjithë për në SPAK. Akti i Ilir Metës që po lëçit të shoqen nëpër ‘katund’ nga një tellall në tjetrin, nuk është lajthitje e radhimit, por mungesë e ‘burrërisë’ së këtij tipi. Meta po tenton ta vërë të shoqen në radhë para vetes; tamam si një mburojë me rërë para dallgës. Këtë do ta bënte sikur të kishte dhëndër. E vetmja gjë që, me gruan, nuk ka bërë miku i tij në katin e tetë. Edhe pse ky e ka gjithë familjen në radhë për në ‘natën pa hënë’. Me vetë Berishën, presidenti i parafundit, po luan një hile ‘kodike’. U betua se do t’i shkojë nën ballkonin ku përjeton arrestin, me tej-qitjen se ‘ti do të shkosh… diku, unë zë vendin tënd’. Sipas Metës radha e çon Berishën në qeli dhe Metën në ‘arrest në shtëpi’. Por mund të ndodhë edhe ndryshe, pa e prishur radhimin.
Radhimin po e përjetojnë të gjithë ata të zinxhirit kriminal që u zhvilluan poshtë ‘ballkonit’ të qeverisjes së këtyre. Epoka që ka nisur në vendin tonë kundër krimit do të jetë e pashoqe. Madje do të marrë kohë të gjatë sa diku në radhë do të shfaqen mjekrat e gjata. Në radhën për në Drejtësi janë identifikuar dhjetëra ministra, qindra familjarë, servilë e shërbëtorë, anëtarë të mafies, trafikantë, lavatriçe parash. Një pjesë jo të vogël të tyre i gjen kudo ku gjenden ata që sulmojnë SPAK-un, Drejtësinë, Reformën, dhe, më në fund gjendjen krejt të re të vendit. Në sulmin me zjarr kundër portave të Bashkisë dhe sallës së Kuvendit, në çdo metër katror gjen nga një nga ‘këta’. Në lajmet e shkruara qëllimisht ‘e zezë në vend të të bardhës’ dhe e pavërtetë në vend të së vërtetës, aty gjen nga ‘këta’. Në etjen për të mos pasur lidhje me aleatët strategjikë- Amerikën dhe me Perëndimin, prapë janë ‘këta’. Natyrshëm ndodh kjo që po ndodh: Ata zënë radhimin për në Drejtësi. Drejtësia aty do të jetë aq sa të jetë kombi dhe hëna, ndërsa këta që kanë bërë ‘të fortin’, thjesht ecin në radhë si hije dhe mbarojnë radhën…