Profesori dhe gjuhëtari Xhevat Lloshi rikthehet në studion e emisionit Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Profesor Lloshi përcolli disa mesazhe të forta nga studioja e emisionit Shqip. Që nga mesazhi për lolot e televizionit që flasin për gjuhën shqipe, te humbja e kulturës së shqiptarëve, inteligjenca artificiale dhe shkatërrimin e gjuhës nga moda. Profesor Lloshi tregon se si disa njerëz dalin nëpër studio televizive dhe thonë gjëra qesharake dhe të pavërteta për protagonizëm.
“Umberto Eco, gjuhëtar dhe shkencëtar ka thënë televizioni bëri që çdo kush të dalë të flasë publikisht madje edhe loloja i fshatit. Lolot e fshatit në këtë kohë nuk janë pak në Shqipëri dhe ne nuk mund ta mohojmë ekzistencën e tyre.
Në kohën moderne, televizioni dhe mjetet e komunikimit masiv, bënë që dikush të mos jetë një njeri i humbur në fshat, por të dalë në rrafshin publik dhe të flasë përpara të gjithëve. Kjo është një joshje e jashtëzakonshme për ta. Sepse një njeri që mund ta ndjejë veten jo të vlefshëm, kur del në TV, i duket vetja me shumë vlerë. Sidomos kur merr edhe vlerësime nga të njerëz të të njëjtit nivel. Ky fenomen quhet protagonizëm dhe është në të gjithë fushat.
Isha në një studio në një televizion dikush më tha gjuha shqipe është e vjetër sa njerëzimi. Unë e pyeta sa i vjetër është njerëzimi dhe ai nuk diti të më përgjigjej. Si mundet që sot kur Elon Musk po përpiqet t’i çojë njerëzit në mars, ne të kemi kaq pak informacion për njerëzimin?!
Ky është faji i mungesës së kulturës, i studiuesve dhe i mësuesve që nuk i kanë ngulitur dijet themelore për kulturën e njeriut. Mungesa e kësaj ngulitjeje lë vend të zbrazët për të thënë gjëra qesharake dhe të pavërteta.”, u shpreh zoti Lloshi./m.j