Nga ARTUR AJAZI
Eshtë partia, që në 33 vite të ekzistencës së saj, njëherë nuk është marrë me hallet, problemet, defektet dhe të ardhmen e saj, por vetëm me “tjetrin”. Edhe kur u vodhën votat dhe u rrahën opozitarët në zgjedhjet e Majit 1996, është marrë me “tjetrin”, dhe jo me shkakun e asaj drame të madhe.
Nuk është marrë me klimën bajraktariste që kishte pushtuar partinë nga drejtimi me dorën e “hekurt” nga Berisha, por merreshin me “tjetrin”, me Nanon, PS, me cicmicet e tjera, me dedektivët që i shkonin kreut socialist në Bënçe, dhe lloj-lloj budallalliqesh të tjera. Më vonë merreshin me Nanon kryeminister, me jetën e tij private dhe jetët e tjera private të ministrave dhe deputetëve, dhe nuk po e shikonin se si po rrëshkiste Partia Demokratike, nga një parti e lirisë, paqes dhe demokracisë, në parti leniniste, ku kryetari ishte , presidenti, kryeministri, prokurori, gjyqtari, kryetari, etj….
Gjithë historia e asaj partie, çuditërisht lidhet me “tjetrin”, me ata që janë dhe ndodhen jashtë gjirit të asaj force politike. Kjo situatë ka vazhduar për 3 dekada e ca, dhe vazhdon edhe sot. Ish-lideri dhe ata që ka besnikë rreth tij, merren sot me Ramën, Veliajn, Nikollën, Ballën, Çuçin, Ballukun, vëllain e kryeministrit, apo dhe biografinë e çdo ministri e deputeti, me familjen e tyre, por jo me hallet që kanë mbuluar sot atë parti, që ka mbetur rrugicave.
Eshtë motivimi i ditës dhe natës, marrja me jetën dhe familjen e “tjetrit”, dhe habitshëm kjo ngjet edhe në mediat që financon sot Rithemelimi.
Nuk merren me ribashkimin, me riorganizimin, me përsosjen e strukturave, me rikuperimin e situatës çoroditëse nga qendra deri në bazë, nuk merren me hartimin e një programi konkurrues për fushatën që po troket, por merren me familjet, miqtë, dhe farefisin e kryeministrit, ministrave, drejtorëve, deputetëve, dhe deri “patronazhistët”.
A thua se, gjithçka e kanë “OK”, kanë siguruar edhe mbështetjen e shumicës së popullit, dhe “fitoren e kanë të sigurtë”, ndaj tani le të merremi me “tjetrin”. Duke shpresuar se, me gërrmimet dhe gjetjen e ndonjë “shkrese që implikon pushtetarët në afera korruptive”, (sipas tyre) do t’ju japë ca vota më shumë, ata nuk po lenë vëlla, motër, grua dhe burrë socialisti pa ndotur. Kjo ndoshta është dhe drama e tyre elektorale.
Këtë ka bërë gjithmonë edhe ish-lideri, dhe ka humbur nja 7 palë zgjedhje. Këtë po vazhdon ta bëjë edhe sot, dhe jam i bindur se po e pret humbjen e 2025 me “ballin lart dhe duart plot me shkresa korrupsioni”.