Nga Fatos Tarifa
Habia është një ndër ato emocione njerëzore, që ashtu si frika, zemërimi, keqardhja apo lumturia janë “globale”, pra përjetohen e shprehen thuajse njëlloj nga të gjithë njerëzit, pavarësisht mënyrës se si janë socializuar ata në një shoqëri të dhënë. Ajo çfarë na habit, sidoqoftë, nuk është e njëjtë për të gjithë. Mua vetë nuk do më habisnin shumë gjëra që shoh e dëgjoj sot në këtë vend, të cilat do të ishin shokuese për këdo që nuk e njeh realitetin shqiptar. Ndërkohë, jam habitur pak ditë më parë kur kam lexuar një vlerësim të Ismail Kadaresë, shkrimtarit shqiptar më të vlerësuar nga unë e më të dashur për mua, për Karl Marksin.
Në një intervistë dhënë një gazetareje rumune (botuar në gazetën Panorama, më 20 prill të këtij viti), Kadare shprehet, ndër të tjera, se: “Për Leninin është krijuar një legjendë që ka qenë një gjeni, por unë nuk e besoj…Madje, unë kam dyshime të mëdha edhe për Karl Marksin. Këtu, në Perëndim, shumë e konsiderojnë [Marksin] një gjeni. Po, ku është gjenialiteti i tij? Ku është gjenia, nëse nuk ka asgjë të re në mendimin e tij ekonomik, asgjë kreative?”.
“Bota komuniste”, vijon më tej Kadare në atë intervistë, “e ka origjinën e vet në mediokritetin e Marksit. Vetëm ‘majtistët’ ngulin këmbë sot se ai ka qenë një gjeni, për shkak të koncepteve të tij mbi varfërinë. Në thelb, Marksi propozoi një përmbysje të rregullit të botës. Por, asgjëkundi, në gjithë veprën e tij, nuk ka qoftë edhe një faqe ose një paragraf mbi mësimet, apo mendimin e tij mbi civilizimin njerëzor… Kur ju kaloni gjithë jetën duke ëndërruar përmbysjen e rregullit ekzistues, nuk duhet të harroni se i gjithë qytetërimi perëndimor i ka rrënjët e tij në urrejtjen e verbër të grekëve që shkatërruan Trojën… Dhe zotat i dënuan grekët për këtë mizori. Marksi nuk mendoi se klasa punëtore, kur merr pushtetin, do të bëhet ekstremisht mizore me ata që i quante borgjezi… Dhe u shfaq komunizmi, krimi më i madh i historisë njerëzore… Dhe më e çuditshmja është që ne, as sot e kësaj dite, nuk flasim hapur për marksizmin. Ndonjëherë është pranuar që Marksi bëri ca gabime, por vazhdon të thuhet se ai ishte një gjeni”.
Kadarenë e kam dashur dhe e çmoj si shkrimtarin shqiptar më të madh të të gjitha kohëve. Në dallim nga ata që e kanë sulmuar, ose që janë munduar të hedhin baltë mbi veprën letrare të Kadaresë, unë e them hapur se jam një admirues i madh i tij. Për mua, përmasat dhe rëndësia e krijimtarisë letrare të Kadaresë në kulturën dhe në shoqërinë shqiptare janë kolosale. Prandaj, si intelektual, e kam ndjerë gjithnjë të nevojshme që të mos hesht kur emri dhe vepra e shkrimtarit tonë më të madh janë denigruar e sulmuar padrejtësisht. Veprën e tij e kam çmuar dhe e çmoj si një pasuri të vërtetë kombëtare për popullin tonë dhe vetë Kadarenë si një personalitet të fuqishëm intelektual, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër që Shqipëria, me historinë e saj kurioze, me kulturën, artin dhe vlerat më të mira të shoqërisë së saj, të jetë bërë e të mbetet pjesë e ndërgjegjjes politike e letrare të Europës dhe pjesë e hartës kulturore në mendësinë e qytetarëve të saj. Madje, në librin tim Kalorësit e humbur të kryqëzatës anti-Kadare (2010), jam shprehur se, “pa Kadarenë dhe letërsinë e tij të madhe europiane, sot Europa do të na shihte si ‘otomanë’ apo si ‘muxhahedinë’”.
Por ja që, edhe një shkrimtar i madh, si Kadareja, mund të më habisë, madje shumë, jo për shkak të ndryshimit të pikëpamjeve e të qëndrimeve të tij ndaj Marksit, por për shkak të cilësimit të këtij njeriu të shquar si një mendimtar “mediokër”. Prandaj, jo për t’i dalë në mbrojtje Marksit (kjo do të ishte krejt e panevojshme), por për të thënë të vërtetën për të, pra, për të folur hapur për të, siç sugjeron vetë Kadareja, ndjej se duhet të them diçka për shkrimtarin që admiroj më shumë. Amicus Plato, sed magis amica veritas.
* * *
Në periudhën e hershme të krijimtarisë së tij letrare, në poezinë “Razliv”, përfshirë në vëllimin Shekulli im (1961), Kadare e quante Leninin “njeriun më të madh të kohrave”. Në atë periudhë, i njëjti poet shkruante për Leninin se “Ai është kudo i perhapur si elementet / Ai vetë u bë element i këtij planeti”. Është e vërtetë se emri i Leninit nuk gjendet shpesh në vëllimet e hershme poetike të Kadaresë, por vetëm rrallë, “si një gur i çmuar”, sikurse shprehet vetë poeti në poezinë “Lenini”, në vëllimin Ëndërrime (1957). Më vonë, në vëllimin Koha (1976), në poezinë me titull “Te kështjella e Hamletit në Danimarkë”, poeti dhe shkrimtari ynë më i shquar flet për “krimin më të madh, të përbindshëm, me emrin ‘mbivlerë’”, të cilin e zbuloi “parathënësi më i madh me emrin Marks”, që “në këtë botë u ngrit me mjekër gjer në retë”.
Marksi, që deri dje, për Kadarenë ishte “parathënësi më i madh”, sot nuk është veçse një mendimtar “mediokër”! Si vallë ndryshoi Marksi kaq shumë post mortem! Si u shndërrua Marksi i vdekur nga një mendimtar parashikues i madh në një mendimtar mediokër?! Nuk e kuptoj dot se si mundet një shkrimtar i këtyre përmasave, si Kadareja, ta cilësojë Karl Marksin një “mediokër”. Për Marksin mund të thuash ç’të duash, por kurrësesi nuk mund ta quash atë një mendimtar mediokër. Edhe vetë Karl Popper, njëri ndër filozofët më të shquar të shekullit të 20-të, i cili ka qenë një kritikues i ashpër i determinizmit sociologjik të Marksit, e çmonte lart moralin e filozofisë së tij kur, në veprën e njohur Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, shkruante se “protesta pasionante e Marksit kundër krimeve [të kapitalizmit] do t’i sigurojë atij për jetë një vend ndër liberatorët e njerëzimit”.
Kadare nuk do të kishte nevojë, në vitin 2017, ta reviziononte vlerësimin e tij për Marksin, veçse nëse do të kishte zbuluar në veprat e këtij të fundit pikëpamje të parëndësishme, të vjetra apo vulgare, ose nëse vërtet nuk do të kishte gjetur në to asgjë të re. Fjalët e tij se “asgjëkundi, në gjithë veprën [e Marksit], nuk ka qoftë edhe një faqe, ose një paragraf mbi mësimet, apo mendimin e tij mbi civilizimin njerëzor” më duken pa vend, madje aq absurde, sa është e vështirë ta besoj se janë thënë nga një shkrimtar si Kadareja.
Janë të shumta rastet kur Marksin e kanë sharë, e kanë demonizuar, ose e kanë shtrembëruar njerëz që nuk e kanë kuptuar atë, madje edhe njerëz që nuk kanë lexuar asgjë nga vepra e tij. Z. Kadare na thotë sot se nuk ka gjetur “asgjë të re në mendimin e tij ekonomik, asgjë kreative”! Në mendimin ekonomik të Marksit, njeriu që BBC, në vitin 1999, e shpalli si zgjedhjen e publikut për “mendimtarin më të madh” (the greatest thinker) të të gjitha kohëve (i ndjekur nga Ajnshtajni, Njutoni dhe Darvini)!
Marksi një mediokër! Njeriu, fuqinë e analizave të të cilit e kanë vlerësuar lart mjaft mendimtarë të shquar, këto vitet e fundit edhe gazeta të tilla, me një qarkullim global, si The New York Times, The Wall Street Journal, apo revistat e mirënjohura The Economist, Rolling Stone etj. Unë vetë e kam studiuar (në SHBA) dhe e njoh Marksin po aq mirë sa njoh edhe teoricienët e tjerë sociale më të shquar të shekujve të 19-të dhe 20-të dhe mund të them se Marksi ka qenë dhe mbetet një ndër mendimtarët më të mëdhenj të modernitetit, madje, deri më sot, i vetmi mendimtar që ka krijuar një paradigmë të re në kuptimin tonë për shoqërinë.
Marksi, një mediokër! Njeriu që, në një moshë fare të re, nga Londra, shkruante për gazetën më të madhe të kohës, New York Tribune, si korespondent i saj për Europën. Njeriu që, në moshën 30 vjeç, shkroi (bashkë me Engelsin) Manifestin Komunist, pamfletin politik më të shitur në të gjithë planetin, që është edhe sot e kësaj dite një ndër tre tekstet më të lexuara në universitetet dhe në kolegjet amerikane.
Marksi, një mediokër! Vizitori më i famshëm i Muzeut Britanik në 264 vitet e ekzistencës së tij, në bibliotekën e të cilit Marksi studjoi për një kohë të gjatë dhe ku, për hartimin e vëllimit të parë të Kapitalit, iu desh të lexonte çdo libër dhe çdo artikull mbi teorinë dhe praktikën ekonomike e financiare që gjendej në fondet e asaj biblioteke.
* * *
Marksi ofron edhe sot mjaft ide të rëndësishme për ekonominë politike të kapitalizmit në shekullin e 21-të, të cilat ndihmojnë të kuptojmë shumë nga dilemat e sotme, që kanë të bëjnë me vlerën e shkëmbimit, me paranë, me kapitalin, me tregjet ndërkombëtare, me ciklet e biznesit, me qeverisjen dhe me ndryshimet sociale. Kjo është arsyeja që, sidomos këto dhjetë vitet e fundit, pas krizës financiare globale të viteve 2008-2009, interesimi për “mediokrin” Marks është rigjallëruar, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Perëndimore. Meghnad Desai, profesor i ekonomisë në London School of Economics, në librin e tij Hakmarrja e Marksit (2004), argumenton se Marksi është keqkutuar në shumë raste e për shumë çështje, dhe se ky njeri i madh kishte të drejtë për shumë më tepër çështje nga sa kemi besuar deri më sot. Në gushtin e vitit 1998, kolapsi ekonomik në Rusi, kriza monetare në Azi dhe paniku që pushtoi tregjet botërore e shtynë gazetën më të madhe të planetit për çështje të ekonomisë e të biznesit, Financial Times, të shtronte pyetjen, nëse brenda një dekade, “triumfi i kapitalizmit global ia kishte lënë vendin krizës së tij”. Artikulli mbante si titull: “Das Kapital Revisited”.
Ismail Kadare duket se është i painformuar përsa shkruhet e thuhet për Marksin, jo vetëm në industrinë akademike, por edhe në rrethet më të gjëra intelektuale të vendeve më të zhvilluara. Për të, çuditërisht, sot Marksi nuk është më shumë sesa një mendimtar “mediokër”. Për mua, ai ka qenë e mbetet një mendje e shquar, që të habit me erudicionin dhe me thellësinë e mendimit të tij. Natyrisht, disa prej veprave të Marksit, si Kritika e Programit të Gotës, ose polemikat e tij me Dyringun dhe Lasalin, edhe pse brilante, nuk kanë sot ndonjë rëndësi teorike të veçantë, por vepra të tjera të tij, disa prej të cilave datojnë madje para Luftës Civile në Amerikë, ruajnë aktualitetin e tyre thuajse njëlloj si në kohën kur janë shkruar. “Ne i rikthehemi Marksit”, shkruan Robert Heilbroner, “jo sepse ai është i pagabueshëm, por sepse është i paevitueshëm”.
Ndryshe nga shumë njerëz, ndër të cilët duket se bën pjesë edhe Kadareja, që mendojnë se idetë e Marksit, edhe nëse ato kanë ndonjë vlerë, janë sot anakronike, se ato i përkasin periudhës viktoriane dhe se kritika e tij për kapitalizmin industrial të asaj periudhe është çvlerësuar në kushtet e kapitalizmit teknologjik e global të sotëm, ka të tjerë, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, që mendojnë se Marksi mbetet intelektuali më i rëndësishëm për të gjithë ata që merren me studimin e tregjeve dhe, prandaj, “interesi për veprën e tij do të mbetet për aq kohë sa kapitalizmi do të vazhdojë të ekzistojë” (The New Yorker, October 20, 1997). Në një farë kuptimi, mund të thuhet se marksizmi dhe kapitalizmi janë simbiotikë dhe se asnjëri prej tyre nuk do të mund të largohet nga skena pa tjetrin.
Me idetë nuk ndodh i njëjti proces plakjeje si me njerëzit. Për dikë mund të thuash se është i vjetër, (edhe pse jo pa vlerë), kur arrin një moshë të caktuar, por idetë nuk kanë moshë. Kur mund të quhet e vjetër një ide? Pas 100 vitesh, pas 50 vitesh? Pas 10 vitesh? Ka ide shekullore që janë të vlefshme edhe sot. A mund t’i hedhim poshtë filozofët e lashtë grekë vetëm e vetëm se ata krijuan rreth 2,500 vite më parë? Po Shekspirin, Servantesin, Makiavelin, Erazmin, Spinozën, Monteskjënë, Rusoin, Kantin, Xhefersonin e shumë të tjerë? Nëse idetë e Marksit do të konsideroheshin sot të vjetra, ç’mund të thuhet për idetë e Adam Smithit, që jetoi plot një shekull para Marksit, por që studiohet edhe sot e kësaj dite në të gjitha universitetet perëndimore?
Në fakt, Marksi është implantuar në mënyrën tonë perëndimore të të menduarit në një mënyrë e në një masë të tillë, sa ne nuk jemi të vetëdijshëm për borxhin intelektual që i kemi këtij njeriu. Shumica prej nesh besojnë se qëndrimet tona përcaktohen, në një masë të madhe, nga kushtet tona materiale dhe se ndryshimet në mënyrën se si prodhohet përcaktojnë ndjeshëm të gjitha marrëdhëniet humane, përfshirë edhe ato jashtë vendit të punës. Kjo është një ide marksiste. Ashtu si xhentëllmeni borgjez i Molierit, që zbuloi me habi se, për më shumë se 40 vite, ai kishte folur në prozë, pa e ditur këtë, një pjesë e mirë e borgjezisë dhe e klasës së intelektualëve perëndimorë, përfshirë si Kadarenë, ashtu dhe mua, i kanë përvetësuar idetë e Marksit pa e kuptuar as vetë.
* * *
Pavarësisht se vizioni që krijoi Marksi për të ardhmen e njerëzimit, mbështetur në një materializëm determinist e reduksionist dhe në një pozitivizëm historik, ishte në kohën e tij (dhe mbetet edhe sot) utopik, ai, pra Marksi, më herët – dhe më mirë – se kushdo tjetër, kuptoi dhe shpjegoi teorikisht, me mjaft thjeshtësi dhe elegancë, natyrën e kapitalizmit, kontradiktat e këtij sistemi dhe tendencën objektive të zhvillimit të tij. Ajo që shpjegoi Marksi është se, zhvillimi i shpejtë i të gjitha mjeteve të prodhimit dhe zgjerimi i tregjeve, zhvillimi i shpejtë i mjeteve të komunikimit dhe avantazhet që krijohen si rezultat i këtyre proceseve, i shtyjnë përpara, drejt qytetërimit, të gjithë kombet, edhe ata më barbarë. Në këtë mënyrë, kapitalizmi globalizohet. Marksi shkruante: “Nevoja për një treg që zgjerohet vazhdimisht për prodhimet e saj e shtyn borgjezinë në të gjithë sipërfaqen e globit. Ajo duhet të shtrihet kudo, të vendoset kudo, të krijojë lidhje kudo”.
Edhe pse sot kjo duket e vetkuptueshme (kërkimi i vazhdueshëm i tregjeve të reja, i më shumë resurseve natyrore dhe i një fuqie punëtore të lirë), nuk duhet harruar se Marksi i shkroi këto fjalë në vitin 1848. Ai parashikoi në mënyrë gjeniale integrimin ekonomik dhe ndërvarësinë e gjithanshme mes ekonomive kombëtare në një treg global. Në ditët tona, korporatat transnacionale prodhojnë më shumë se një të tretën e produktit të përgjithshëm të globit; ato realizojnë mbi 70 për qind të tregtisë globale dhe financojnë mbi 80 për qind të investimeve ekonomike në shkallë botërore. Në kushtet e një ndërvarësie ekonomike të tillë globale, efektet e krizave ekonomike ose financiare sot nuk lënë vend pa prekur. Në pranverën e vitit 2010, The Wall Street Journal (May 8, 2010) detyrohej të pohonte se dalja e Shteteve të Bashkuara nga kriza financiare, që nisi më 2008 dhe që tronditi ekonomitë më të mëdha të globit, manifestoi “disa karakteristika marksiste”. Është me vend të theksojmë, gjithashtu, se disa nga kërkesat e Manifestit Komunist të Marksit kanë mundur të realizohen në shumë prej vendeve më të zhvilluara, përfshirë, ndër të tjera, “arsimin falas për të gjithë fëmijët në shkollat publike” dhe një “taksë progresive ose graduale mbi të ardhurat”.
Epoka në të cilën jetojmë sot dëshmon se Marksi kishte të drejtë. Globalizimi duket se do të jetë zhvillimi më i rëndësishëm ekonomik dhe politik i shekullit të 21-të. Dhe Marksi i parashikoi shumë nga pasojat e tij njëqind e shtatëdhjetë vite më parë, duke justifikuar vlerësimin e bërë për të se ai ishte “një astronom i historisë, jo një astrolog”. Si një njohës shumë i mirë i historisë së zhvillimit të qytetërimit botëror, Marksi, ashtu si dhe Weberi pas tij, i cili, në një pjesë të mirë të veprës së tij aplikoi mjeshtërisht metodën historike të Marksit, nuk erdhi kurrë në një përfundim si ai që propozon Kadareja, se “i gjithë qytetërimi perëndimor i ka rrënjët e tij në urrejtjen e verbër të grekëve që shkatërruan Trojën”. Në studimin e çdo forme organizimi shoqëror dhe të çdo qytetërimi, Marksi e përqendroi vëmendjen në strukturat ekonomike të shoqërisë, ashtu si Weberi u kushtoi më shumë vëmendje strukturave politike të saj, dhe jo Luftës së Trojës, hundës së Kleopatrës, ose humorit të mbretërve. Edhe atëherë kur këta mendimtarë të shquar të modernitetit i kthyen sytë nga antikiteti i lashtë greko-romak, vëmendja e tyre nuk u rrok nga mitologjia, por nga teoritë morale e politike të Platonit e të Aristotelit, nga vepra historike e Tuqididit dhe (në rastin e Marksit), nga filozofia e natyrës e Demokritit dhe e Epikurit. Kjo trashëgimi kulturore, si dhe përvoja e organizimit të qytetit-shtet (polisit, që përbënte strukturën tipike të një komuniteti në Greqinë e Lashtë), ajo e organizimit demokratik të Athinës në kohën e Perikliut dhe forma republikane e qeverisjes në Romën Klasike, ishin për Marksin dhe Weberin origjina e qytetërimit perëndimor.
* * *
Duke u shprehur se “bota komuniste e ka origjinën e vet në mediokritetin e Marksit”, Kadare bën dy gabime serioze (përveçse përdorimit të termit “mediokër”). Së pari, një gabim intelektual, pasi nuk merr në konsideratë historinë e zhvillimit të mendimit socialist utopik, që nis me Utopinë e Morit (1478-1535) dhe me Qytetin e diellit të Kampanelës (1568-1639), dhe as historinë e praktikës së socializmit shtetëror, që mund të thuhet se nis me misionarët jezuitë në Paraguaj, në shekujt e 17-të dhe 18-të. Shekuj para Marksit, Mori dhe Kampanela formuluan ide dhe dhanë përshkrime tejet të detajuara të një shoqërie komuniste, së cilës Marksi nuk iu afrua as në imagjinatë, dhe komunistët sovjetikë e nderuan Morin si një ndër heronjtë e revolucionit rus, duke e vendosur emrin e tij në Sheshin e Kuq në Moskë.
Së dyti, një gabim konceptualisht politik, pasi u bashkohet atyre njerëzve që e akuzojnë Marksin për të gjitha krimet e komunizmit, duke e barazuar atë me diktatorë sociopatë, si Stalini apo Pol Poti, dhe idetë e tij me leninizmin doktrinar dhe me perversitetin me të cilin, në emër të ideve marksiste, u krijuan “diktaturat e proletariatit” në Bashkimin Sovjetik, në Kinë, në Rumani, në Shqipëri, në Kubë, në Korenë e Veriut etj. Në fakt, “marksistë” të tillë, si Stalini, Mao, Pol Poti apo Enver Hoxha kanë qenë armiqtë më të këqinj të Karl Marksit. Ata jo vetëm që e keqinterpretuan mendimin e Marksit, por edhe e asociuan atë me disa prej krimeve më të mëdha në historinë e njerëzimit.
E çuditshme është metamorfoza e Kadaresë! Për shkrimtarin komunist, Marksi zbuloi dhe denoncoi krimin më të madh të kapitalizmit – mbivlerën; për shkrimtarin demokrat, mediokriteti i Marksit dhe doktrina e tij janë origjina, ose burimi i botës komuniste dhe i të gjitha krimeve të saj. Ishin pikërisht “mëkate” të tilla, që Marksi, në fakt, kurrë nuk i bëri, ato që e detyruan atë, në fund të jetës së tij, të pohonte se ai vetë – pra Marksi – nuk ishte marksist (në kuptimin që i jepej kësaj fjale). Marksi tha: “If anything is certain, I myself am no Marxist” (Një gjë është e sigurtë, që unë vetë nuk jam marksist). Në këtë mënyrë, Marksi u përpoq ta ndajë veten e tij nga “Marksizmi” që u krijua në emër të tij.
Nëse Marksi tha gjithçka për kapitalizmin e kohës së tij (dhe shumë nga idetë e tij ruajnë vlerën e tyre edhe sot), ai, thuajse kurrë, as në Manifestin Komunist dhe as në ndonjë prej veprave të tjera të tij, nuk shpjegoi se si do të ishte një rend komunist që do të zëvendësonte kapitalizmin. Ai vetëm parashikoi (dhe dëshiroi) që varfëria, shfrytëzimi, padrejtësitë shoqërore dhe ndarja klasore e shoqërisë kapitaliste të zëvendësoheshin nga një shoqëri, aktiviteti ekonomik i së cilës të mbështetej jo në fitimin dhe në interesat e një pakice, por në nevojat e të gjithë anëtarëve të shoqërisë dhe në interesin e tyre; me fjalë të tjera, “një shoqëri, në të cilën zhvillimi i lirë i çdo individi është kushti për zhvillimin e lirë të të gjithëve”.
Vetë Marksi nuk do ta kishte dëshiruar kurrë asgjë të ngjashme me një shtet totalitarist, si ai që u krijua në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera komuniste, edhe pse, arkitektët e atij regjimi – Lenini dhe Stalini – si dhe të gjithë diktatorët e tjerë komunistë që erdhën pas tyre, janë përpjekur të argumentojnë se po zbatonin në praktikë “vizionin marksist”. Kjo është arsyeja kryesore që shpjegon pse trashëgimia e pasur teorike e Marksit u duk se u la në hije me dështimin e komunizmit. Madje, bashkë me statujat e Leninit e të Stalinit, në vendet që u çliruan nga komunizmi u rrëzuan edhe monumentet e Marksit.
* * *
Në dy dekadat e fundit, sidoqoftë, interesimi për këtë trashëgimi është rikthyer. Në dhjetor të vitit 2002, në një editorial të saj kushtuar trashëgimisë intelektuale të Marksit, revista The Economist shkruante se: “Si një sistem qeverisjeje, komunizmi ka vdekur ose po vdes. Si një sistem idesh, e ardhmja e tij duket e sigurt”. Ai editorial përfundonte me këto fjalë: “Hidheni poshtë komunizmin, siç u praktikua ai në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore (si dhe në Kinë, në Korenë e Veriut, në Kubë dhe kudo gjetkë që ai është praktikuar). Por, mos e hedhni poshtë Marksin”. Francis Wheen, nga ana e vet, në një artikull titulluar “Pse Marksi është njeriu i ditës” (2005), shkruan se Marksi “jo vetëm që nuk u varros nën rrënojat e Murit të Berlinit por, ndoshta, vetëm tani ai po rishfaqet me tërë rëndësinë e vet… Karl Marksi mund të jetë mendimtari më me influencë i shekullit të 21-të”.
Trashëgimia që ka lënë Marksi, si çdo trashëgimi intelektuale, mbetet e hapur për interpretime të reja, por kjo ndodh pikërisht për shkak të gjerësisë universale dhe vlerave të saj, jo për shkak të mediokritetit të mendimit të tij./Dita
Faleminderit shumë z.Tarifa.Kadareja nuk i vjen në majë të gishtit gjenisë filozofisë të Karl Marx.Të jesh shkrimtar është një gjë…dhe të jesh filozof…i përmasave gjeniale si Marx është absolutisht e shkëlqyer…Universitetet në ShBA studiojnë të gjitha Karl Marx…dhe asnjë Kadarenë…Kaq dhe mjafton…të kuptosh Demirin e Kadaresë
Faleminderit shumë z.Tarifa.Kadareja nuk i vjen në majë të gishtit gjenisë filozofike të Karl Marx.Të jesh shkrimtar është një gjë…dhe të jesh filozof…i përmasave gjeniale si Marx është absolutisht e shkëlqyer…Universitetet në ShBA studiojnë të gjitha Karl Marx…dhe asnjë Kadarenë…Kaq dhe mjafton…të kuptosh deliirin e Kadaresë
Marksi gjenialitetin e ka mbi analizen e sistemit kapitalist dhe nuk mund ta zbej asnje njeri sado shkrimtar i madh mund te jete ! Gabime ka cdo gilizof
Më pëlqeu analiza dhe arsyetimi i autorit.
Urime.