Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, (KPK) shkarkoi sot nga detyra gjyqtarin e Vlores, Hektor Sinanaj. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Pamela Qirkon.
Gjatë seances dëgjimore më 11 mars, Sinanaj dha shpjegime të përmbledhura për bilancin negativ në vlerë të madhe si dhe për konstatimet për konflikt interesi. Për pastërtinë e figurës, ai u vlerësua pozitivisht.
Sipas KPK, gjyqtari Hektor Sinanaj i Gjykatës së Vlorës nuk kishte arritur të vërtetonte të ardhurat nga emigracioni dhe avokatia, që shërbyen si burim për pasuritë e tij si dhe kishte shqyrtuar rreth 180 çështje me palë avokatë apo ekspertë që kishin marrë me qira pronat e tij
Hektor Sinanaj e filloi karrierën si avokat në vitin 1992 dhe u emërua gjyqtar në vitin 2000. Ai punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës. Në tetor 2021, Sinanaj mori “vërejtje publike” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas një hetimi disiplinor të ILD-së për vendimet e tij lidhur me urdhërat e ekzekutimit të disa institucioneve financiare, për të cilat Sinanaj tha se kishte mbrojtur qytetarët.
/f.s