Ish drejtori i policisë, Shemsi Prençi tha në emisionin “360 gradë” se Fredi Beleri u vendos kandidat për Himarën nga Sali Berisha, që dikur e kishte shpallur terrorist për masakrën e Peshkëpisë. Sipas tij, opozita bëri autogol me Belerin pasi kishte të gjitha mundësitë për t’u sulmuar nga qeveria.
“Unë në ’94 kam pasur funksion drejtues në polici dhe nga zyrtarët më të lartë, në një mbledhje urgjente ku merrnin pjesë të gjitha shërbimet. Më është prezantuar Beleri si një terrorist dhe jam njoftuar nga fonograme të ndryshme për forcimin e gadishmërisë për strukturat e shtetit përgjatë kufirit për ngjarjen e Peshkëpisë. Krerët e shtetit pasi dekoruan të rënët në krye të detyrës, po ata për pragmatizëm politik i afruan Belerit kandidimin për bashkinë e Himarës. E kam fjalën për doktorin dhe të gjithë doktorët në koalicionin “Bashkë fitojmë”. Në këtë pikëpamje, Beleri u përdor për pragmatizëm politik për të kapur një vatër blu në jug nga opozita, parë në mundësitë për të bërë një fushatë, shto edhe sulmin e kryeministrit të Shqipërisë, që kishte sulmuar për koshat e plehrave kandidatin e tij.
Në krahun tjetër kishim opozitën e bashkuar me një kandidat. Po ti referohemi rezultat të zgjedhjeve, Beleri nuk ka fituar në bastionet e PS-së si qendra Lukovë, Himara apo Dhërmiu por jo në bastionet e opozitës. Në këtë kontekst, edhe informacionet edhe verifikimet e policisë për 13 maj, pol ishte përgatitur në kuadrin e strategjisë hartuar nga qeveria për ta goditur Belerin me çdo kusht. Në këtë rast ka fituar plani ogurzi i qeverisë kundër Belerit, por ndërkohë opozita ka bërë autogolin sepse kandidati i kishte të gjitha mundësitë për t’u sulmuar nga qeveria.”, deklaroi ish drejtori i policisë.
Ndërkohë, kryetarja e PD-së në Himarë, Afrovita Dhimojani, deklaroi se Beleri është “viktimë” e qeverisë. Ajo thotë se nëse Beleri do të ishte kandidat i PS, nuk do të ishte në burg.
“Për shkak të një fushate intensive që kemi pasur në Himarë, të ngjarjes që rrodhi në këtë situatë që jemi sot, për fatkeqësinë e komunitetit tonë, Beleri është viktimë e sistemit politik sepse ngjarja është inicuar nga Rama në Himarë duke denigruar zotin Beleri në personalitetin dhe pamjen e tij dhe duke mos e trajtuar si fushatë politike dhe kandidat që garon në zgjedhjet vendore dhe duke mos e goditur në programin konkret. Beleri nuk bën pjesë në këtë sistem, sistemi politik është PS. Qeveria ka goditur Belerin dhe sot është viktimë e qeverisë duke stisur një komplot. Më ka bërë përshtypje se pse ka arritur në këtë pikë por kaq e rëndësishme është bashkia e Himarës. Beleri është fituesi i bashkisë së Himarës. Nëse Beleri nuk do të ishte fitues i bashkisë ose kandidat i PS sot nuk do të ishte në burg.”, tha ajo./m.j