1 javë para shpalljes së vendimit për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, avokatët e tij dhe përfaqësues të tjerë politik, e cilësojnë rastin, burgim politik. Avokatë grekë dhe austriakë Janë në Tiranë për të monitoruar çështjen.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u mor në mbrojtje në një konferencë të organizuar nga avokati i tij Geni Gjyzari, me anëtarë të kolegjit të avokatisë së Greqisë. Athanasios Zhupas, thotë se në rastin ‘Beleri’ nuk është respektuar prezumimi i pafajësisë.
“Kemi parë se prezumim i pafajësisë nuk është respektuar dhe kemi vënë re se ka raste të tjera që gëzojnë një trajtim ndryshe dhe kjo është diçka që nuk duhet të ndodhte sepse kështu kemi shkelje të barazisë. Kemi ardhur të monitorojmë gjyqin e zotit Beleri, i cili ka dy nënshtetësi”- theksoi Athanasios Zhupas.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues politikë si Flamur Noka i grupit të Rithemelimit dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së. Të dy theksuan se qëndrimi i tij në burg është politik.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe një avokat austriak, i cili solli në vëmendje disa parime themelore të të drejtave të njeriut. Të pyetur nga mediat ata mohuan që kjo konferencë është presion ndaj gjykatës, duke qenë se më 5 mars gjykata e posaçme pritet të shpallë vendimin mbi kërkesën e SPAK për dënimin e Belerit me 2 vite e 6 muaj burg për korrupsion aktiv në zgjedhje./m.k