Nga Ben Andoni
“Gjuaj ëndrrat me gurë” është titulli i një cikli poetik të shkrimtarit kosovar Agim Gjakova. Duke jetuar në Kosovë dhe në Shqipëri para viteve ’90, ai, është nga dëshmitarët më interesantë të përballjes së regjimit jugosllav titist me shqiptarët, ashtu si njohu shumë mirë dhe paradoksin enverian të këtej kufirit.
Në ëndërr, vërtetë mund të gjuash me gurë dhe ka shumë interpretime, por ta qëllosh me gurë ëndrrën demokraci tashmë po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë. Kjo sepse ëndrra demokratike është e kufizuar për pak njerëz, ose më saktë veç një klase të pasurish gjithnjë e më të kufizuar dhe e të ashtuquajturave elita politike, që po ndahen dukshëm me shqiptarët e zakonshëm, qofshin këta në klasën e mesme apo atë të varfër. Pse ëndrra demokraci e shprehur aq shumë nga politikanët në panele dhe tashmë më pak në parlament (ky i fundit ka muaj që nuk e njeh debatin) po zbehet? Një përgjigje të vjen nga terreni: demokracia apo fuqia e popullit tashmë mbetet një ëndërr, pasi pritshmëria e saj mbetet jo thjesht larg, por pasuria e vërtetë dhe pushteti janë në duar të grupeve të forta të interesit, që e dominojnë politikën. Rasti i para pak ditëve më parë të draftit për bastet mbase kaloi ashtu si parashihej të kalonte, porse udha e tij me “vonesa” dhe kartonat në parlament treguan se çfarë është në gjendje të bëjnë fuqia e pak grupeve qoftë edhe në pushtetin kryesor legjislativ në vend. A po abuzohet sot me demokracinë në Shqipëri? Pse po dorëzohen njerëzit prej këtij koncepti dhe pse po i lodh politika dhe të gjithë aktorët e saj të shumtë?
“Evropa është e gjerë dhe e gjatë, kurse fjala demokraci ka kuptime gjithnjë e më të shumta. A jemi të sigurt që termi nënkupton të njëjtën gjë në vende të ndryshme si Shqipëria dhe Islanda? A ndajnë një kuptim të përbashkët të demokracisë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nga Irlanda në Qipro?”- shkruante gati një dekadë më parë Daniele Archibugi tek “Democratic dreams and political reality in Europe” (Ëndrrat demokratike dhe realiteti politik në Evropë).
Parantezë: Në një raport të hartuar në janarin e vitit 2017, Oxfam theksoi se vetëm 8 njerëz (Bill Gates, Amancio Ortega, Warren Buffett, Carlos Slim Helu, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg, Larry Ellison, Michael Bloomberg) zotëronin deri në pasurinë e 3.6 miliardë njerëzve. Mbase, po të afrohemi në ditët tona, kjo njësi është ndoshta edhe më solide dhe pyetja që të lind është se cila është dobia sociale e këtij akumulimi, që të lejohet në këto përmasa?
Në vitin 2022, mbi 95.3 milionë njerëz në BE (përbëjnë 22% e popullsisë) ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, që do të thotë se përjetonin të paktën një nga tre rreziqet e varfërisë dhe përjashtimit social: varfëri, privim i rëndë material dhe social, ose jetesa në një familje me të ardhura shumë të ulëta nga puna, njoftoi Eurostat. Në Shqipëri, ky tregues është dyfish më i lartë, pasi sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, në vitin 2021 rreth 44% e popullsisë së Shqipërisë ishte në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, përqindja më e lartë në BE dhe kuptohet edhe në rajon (Monitor, 2023).
Është faji i besimit të verbër në demokracinë, që tashmë shpesh e më shpesh nuk na përfaqëson apo tashmë i jemi dorëzuar krejt një ëndrre, që në fakt i ngjan është mirëfilli zhgjëndërr, ku kapitali ka fuqi të pamata dhe e ka nënshtruar demokracinë. Paul Săndulescu në “The end of the democracy dream is very close. We’ve already taken the first steps into it” botuar tek “Diplomat magazine” do shkruante rastin sesi ish-ministri grek i financave, Yanis Varoufakis, në një prezantim të vitit 2015 në Gjenevë të titulluar “Kapitalizmi do ta hajë demokracinë – nëse nuk flasim”, tregoi se në procesin demokratik u shfaq një ndarje: vendimet demokratike përfshijnë vetëm faktorët politikë, ndërsa ato financiare dhe të korporatave, të cilat realisht ndikojnë në jetën e popullatave të planetit, u lanë totalisht më vete. Dhe, më në fund, erdhën për të marrë një fuqi të tillë sa që tashmë qarkullon mendimi se:“Demokracia do të ndalohej nëse do të kërcënonte ndonjëherë të ndryshonte diçka (Săndulescu, 2019).
Edhe pse ka një statistikë për të pasurit shqiptarë nuk mund të abstragohet nga niveli i frikshëm i informalitetit në vend, por edhe pse shumë personazhe nuk shfaqen, pasi operojnë përmes të tretëve. Studiuesi dhe eksperti Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, do të shprehej pak vite më parë se: Pasanikët më të mëdhenj në Shqipëri janë të tjerë, që nuk duan të deklarohen, përfshirë këtu edhe politikanë të rëndësishëm. “Të dhënat e ndryshme nga burime të tjera e kryesisht nga komuniteti i biznesit flasin për individë të tjerë që janë ndoshta shumë herë më të pasur se listat e publikuara nga FLE gjatë dy apo tri viteve të fundit. Së dyti, nga opinioni publik, por edhe nga qarqet studimore të caktuara, ndoshta edhe nga agjencitë e specializuara të inteligjencës pranohet gjerësisht se ka individë shumë të pasur në radhët e klasës politike dhe administrative të vendit” (Mapo, 2015).
Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zotëronin 6.9% të totalit të depozitave bankare, nga 6.8% që kishte qenë ky tregues një vit më parë. Por, çfarë do të ndodhi, kur një pjesa e madhe vitale po humbet kaq shumë? “… është e pakuptueshme se si do të funksionojë shoqëria në kushtet e varfërimit të përgjithshëm. Gjaku i shoqërisë njerëzore është para dhe shëndeti i saj kërkon qarkullim të mirë të këtij gjaku. Nëse njerëzit nuk kanë punë, kështu që ata nuk mund të fitojnë paratë e tyre, nëse paratë janë të përqendruara në duart e 1% ose më pak, si do të funksionojë realisht shoqëria njerëzore? Çfarë kanë në mendje plutokratët??? (Săndulescu, 2019).
Shqipëria, ndoshta, mund të përballej me sfida të tjera, nëse nuk do kishte nivele të kontrolluara të informalitetit, por e konfirmuar nga FMN-ja si indikacion, dihet se ne e kemi më të madhe sesa në Maqedoninë e Veriut apo Serbinë, me rreth 50% të njerëzve në marrëdhënie pune, kundrejt rreth 20% mesatarisht të raportuar për dy vendet e tjera. Që do të thotë më pak para të mbledhura dhe një ekonomi ende me strukturë të paqartë. Po çlidhje ka kjo me demokracinë? Sa më të paqartë ta kemi ekonominë, aq më konfuz jemi për demokracinë tonë. Jemi në momentin kur puna e masave të njerëzve është gjithnjë e më pak e nevojshme, kështu që ata nuk do të kenë para për të blerë mallrat, dhe në fund të fundit për të blerë punën e njerëzve të tjerë (Ibid). Më saktë, jemi në një kohë kur ëndrra demokraci po kthehet në një makth për vetë demokracinë. Ndaj, ja vlen, që tashmë, kur publikut po i mbeten gjithnjë e më pak mundësi t’i qëllojë dhe vetë ëndrrat, që mbetën të parealizuara me gurët e mllefit. (Homo Albanicus)