Kur kanë mbetur disa orë nga seanca plenare e Kuvendit të së enjtes ku do të hidhet në votim Amnistia Penale, duket se nuk është bërë shumica për miratimin e këtij projektligji. Ditën e sotme, kryedemokrati, Lulzim Basha deklaroi se PD nuk do ta votojë amendamentin e socialistëve sepse sipas tij, mundësohet shpëtimi i zyrtarëve të korruptuar.
Deputeti socialist Plarent Ndreca i cili është edhe relatori i projektligjit për Amnistinë Penale sqaroi se pretendimi i Bashës nuk qëndron për arsye se subjekt i këtij projektligji janë të dënuar deri në 2 vite burg dhe vepra penale si korrupsioni dënohen deri në 14 vite.
“Neni 6 që ka të bëjë me hetimin penal, e ka vënë tavanin 2 vjet. Nuk ka asnjë vepër penale që ndiqet nga SPAK-u që ndiqet për 2 vjet. Dhe thuhet se subjektet e SPAK-ut nuk përfitojnë nga kjo gjë. Një drejtor drejtorie përjashtohet nga Amnistia kur ai hetohet kur po hetohet për deklarimin e pasurisë. Por nëse një drejtor është duke u hetuar për fyerje, që nuk është subjekt i SPAK-ut përjashtohet. Veprat penale të korrupsionit, nuk përfitojnë. Asnjë që akuzohet për korrupsion nuk përfiton nga Amnistia. Vepra penale e korrupsionit është 14 vjet, tavani tek kjo amnisti është 2 vjet, nuk ekziston kjo frikë”- tha Ndreca.