Nga Alba Malltezi
Me siguri fjalimet e 20 shkurtit të Luciano Boçit, Gazmend Bardhit, Mehdi Malkajt dhe shumë të tjerëve, vinin nga zemra kur ata flisnin për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por sinqeriteti i tyre përballë të gjithëve, thërrmohet si një xham kristali që bie nga kati i tetë i kullës së familjes Berisha në zemër të Tiranës, apo nga zyra e liderit rithemelues në kullën më të bukur të oligarkut që edhe e ka strehuar, apo nga çatia me shumë oxhakë e vilës me të madhe në Gjirin e Lalëzit pasi kush e ka ndërtuar ka marrë liçenca të njëpasnjëshme po aty falë liderit suprem.
Sinqeriteti i shumë përfaqësuesve të rithemelimit dhe e kujtdo propozon si alternativë të Edi Ramës të superkorruptuarin Sali Berisha, hidhet në erë. Asnjërit prej tyre nuk i bën dhe nuk u ka bërë përshtypje aspak i gjithë 30 vjeçari i përgjakur i tranzicionit të dhimbshëm shqiptar i cili mban firmën kryesore të Sali Berishës. Thënë kjo, sa të shqetesuar janë realisht mbështëtësit e Sali Berishës për të mirën e Shqipërisë?
Nuk është nevoja të vazhdojmë të bëjmë naivët sikur nuk kuptojmë që pikërisht mes nesh ka dy kategori të dallueshme: ata që duan të ecin përpara e të ndërtojnë e të tjerë që për interesa të paqarta të denigrojnë e shkatërrojnë.
Është e qartë që si në Legjendën e Rozafës historia jonë e ndërtimit të shtetit dhe mirëqënies kalon përmes intrigave, gënjeshtrave, hileve të vëllezërve më të mëdhenj në kurriz të më të voglit, por kohët dhe shqiptarët po ndryshojnë.
Vellezërit e vegjël e kanë kuptuar hilen dhe nuk duan të ndërtojnë më mure kalash kot, duke sakrifikuar kë duan më shumë se vetë jeta. Atëherë, kur shqiptarët kanë ndryshuar tashmë, nuk është faji i askujt që propozimet me mure të Kalasë së Rozafës, me askush nuk i beson! Projektet e shumicës së shqiptarëve që sigurisht nuk dolën krah rithemelimit në bulevard, nuk përkojnë me këtë lloj politike destruktive që në themel. Ndaj, të mbyllësh sytë e të imagiinosh një Shqipëri më të mirë, nuk parashikon shumë nga ata që bëjnë pjesë në Rithemelim.