Nga Ylli Pata
Prej orëve të vona të së dielës u përhap një sms për gazetarër a thua se do bëhej hedhja e një bombe të re bërthamore në Semipalatinsk. Gaz Bardhi njoftonte se do shkonte në SHQUP. Po çfarë risie ka këtu, kur realisht si Gaz Bardhi, ashtu edhe të gjithë deputetët që sot nuk janë pjesë e strukturave të PD-së janë ndarë para 14 majit.
Ai nuk ishte Gaz Bardhi që u bëri thirrje votuesve të opozitës që të mos votonin Partinë Demokratike edhe pse ishte Sekretar i Përgjithshëm dhe kryetar i grupit parlamentar, po të votonin subjektin “Bashkimi për Fitore” që përfaqësohej nga Ilir Meta? A nuk ishte Dashnor Sula, i cili u bëri thirrje qytetarëve të Peqinit, që të votonin Ilir Metën e jo PD? A nuk ishte Saimir Korreshi që u bëri thirrje qytetarëve të Lushnjes që të votonin Ilir Metën e jo PD? A nuk ishte Agron Gjekmarkaj që ju bëri thirrje qytetarëve të Lezhës që të votonin kandidatin e Sali Berishës për kryetar të Bashkisë së Lezhës?
Është zgjedhja e tyre, edhe pse shumë nuk se janë entuziaztë. Nuk kanë zgjedhje tjetër. Pse nuk shkon Gaz Bardhi në Elbasan, përpara së të shkojë në selinë e SHQUP? Po Agron Gjekmarkaj, pse nuk shkon në Mirditë e Lezhë, edhe pse Rrëshenin e ka të fituar? Le të shkojë atje, ka edhe një kryetar të Bashkimit për Fitore. Do të kishte shumë kuptim sikur nga ajo marrëdhënie të nisë logjika politike e një aksioni. Po pse nuk shkon Gjekmarkaj në Mirditë apo Bardhi në Elbasan? Sepse jemi në një zhvillim krejt të ri, ku kryetarët e Mirditës, Fusharrësit, Pukës apo Memaliajt, edhe pse të zgjedhur nga koalicioni i Sali Berishës dhe Ilir Metës janë autonomë, sepse kanë matur me prapanicë çdo centimetër katrorë të territorit në fushatë, e nuk ja falin asnjë të deleguari nga Tirana.
Ndaj edhe këto personazhe politike shumë të rëndësishme sepse janë votuar direkt nga populli as janë zgjedhur në strukturat e foltores, as nuk promovohen. Kur realisht janë realitete, emra dhe personazhe të rëndësishme. Meqë ra fjala për Mirditën, kryebashkiaku Albert Mëlyshi shikohet se është një kryebashkiak që po ecën krejt normal edhe me strukturat politike e qytetarët atje, nuk ka hapur asnjë konflikt. Gjasat janë që ai jo vetëm do të ketë të ardhme politike, por edhe akses për deputeët, si lobim. Natyrisht nuk flitet këtu për raporte personale të deputetëve me bazën, por me relacionin politik. Ngjizja e tyre me Sali Berishën dhe foltoren, është realisht një marrënie interesi. Në fakt politika e tillë është, është interes. Po atëherë përse si Bardhi, ashtu edhe Gjekmarkaj thonë se nuk jemi për Berishën? Për interes? Kaq e thjeshtë!