Nga Ben Andoni
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Djuriq, ka përdorur një shprehje të Linkoln për të treguar rastin e fundit të alarmit në Maqedoninë e Veriut për atentatin ndaj kryeministrit Kurti. Abraham Linkoln u shpreh dikur se: “Mund të gënjeni një grup të vogël njerëzish për një kohë, disa njerëz për një kohë të gjatë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë njerëzit, gjatë gjithë kohës”.
Në një aspekt më protokollar, nikoqirët maqedonas-verior të Kurtit, përmes Angellovskit zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, e mohuan se pati ndonjë tentim atentat ndaj kryeministrit kosovar. Vetë justifikimi i Kurtit e la jo të qartë këtë, porse rajoni ynë është i pasigurt, ky nuk është më lajm i ri.
Po pse po ashpërsohet kaq shumë gjuha e urrejtjes mes Kosovës e Serbisë? Pse aleatët më të ngushtë të Kosovës po i bëjnë thirrje për kujdes dhe maturi? Debati i nxehtë mbrëmjen e së enjtes midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, na përshfaqi shumë elementë. Mbi të gjitha faktin, se Marrëveshja e Ohrit, mbi të cilën po bisedohet ende dhe e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me mirëkuptimin e SHBA-së, jo vetëm nuk po respektohet por palët po e zhbëjnë me qëndrimet dhe veprimet e tyre.
Megjithatë sulmi terrorist i Bajnskës e ktheu vështrimin përkohësisht nga shqetësimet e Kosovës, masat shtrënguese mbi të jo vetëm nuk u hoqën, por mbi Serbinë përveç apeleve të disa zyrtarëve, pothuaj nuk ia ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Paradoksalisht, Serbia pranohej vite më parë se ishte shkaktare të problemeve në Kosovë, jo thjesht me trazirat sistematike në veri, por edhe me shumë provokime. Në njërën prej tyre, kur u iniciua treni nacionalist që do të vinte deri në Kosovë, Marko Djuriq, asokohe, shefi i zyrës për Kosovën do të tërhiqej zvarrë nga autoritetet kosovare.
Ndërkohë, kryeministri Kurti përmes Ekzekutivit të tij ka qenë i beftë me aktet e tij, jo pak herë, për targat, vendosjen e kryetarëve në Veri dhe letërnjoftimet dhe së fundi me vendimin e shpejtë për dinarin. Për hir të së vërtetës, Kurti respekton dhe përpiqet për sovranitetin e Republikës së re, që e drejton, megjithatë artikuluar befas dhe me karta nacionaliste e ka lodhur edhe më shumë dialogun, ku Serbia nga ana e saj kontribuon frikshëm për ta zhbërë. Pasojat, në Këshillin e Sigurisë i bëhej thirrje pak orë më parë Kosovës për kujdes.
A po shtohen incidentet e gjithfarëllojshme dhe problematikat? Po. Serbia po afrohet afër me makinën e saj ushtarake, pranë kufirit me Kosovën. KFOR-i po shton praninë dhe paralajmërimet për palën serbe. Kosovës po i tregohen veç kufizimeve dhe të tjera, që presin në radhë. Serbia është në kaos te Legjislativi, ndërkohë që Parlamenti Evropian miratoi dhe një rezolutë për zgjedhjet shumë problematike të saj, kundër të cilës votuan vetëm përfaqësuesit e Djathtës ekstreme. Kurti ndërkohë po etiketohet se po merr të gjitha institucionet e pavarura dhe është në udhën e një autokrati të mirëfilltë.
Është e kuptueshme tashmë që ndarjet jo vetëm janë të mëdha, por duken edhe shmangëse nga tandemi Kurti-Vuçiq. Kurti e akuzoi hapur në Nju Jork dhe në fakt këtë të drejtë ia jep mbi të gjitha Bajnska dhe autogoli serb me Ditën e Zisë për paramilitarët e vrarë se “duhet të ndalojë financimin e kriminelëve dhe terroristëve në Kosovë”. Kuptohet që Vuçiq iu përgjigj me alarmin e zakonshëm se: “jeta e serbëve në Kosovë po bëhet e pamundur”. Këto fjalë të bëjnë të kuptosh se palët janë tërhequr shumë pas dhe tashmë problematikën e tyre po e projektojnë dhe në rajon. Atentati i mëtuar ndaj Kurtit, përplasjet dhe ftohja Vuçiq-Rama, situata në Maqedoninë e Veriut, tregojnë se për rajonin po vinë ditë të errëta. A do mundet Kosova të marrë më të mirën? Pak ditë më pas, Sekretari Blinken do të japë me shumë gjasë këshilla të vyera në Tiranë por edhe projeksione për të cilat Prishtina dhe Tirana duhet të jenë të kujdesshme për të ardhmen e tyre. Jemi në muajt më të vështirë, ato që presim, nga ndryshimet apo jo të kursit të SHBA-së në rajon e më gjerë, pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Mund t’i kursejmë disa gjëra dhe të merremi pak më shumë me vendet tona sepse fjala e Linkoln është e vërtetë, paçka se në gojën e Djuriq ngjan qesharake. (Javanews)
Alibi e Kurtit për të bërë viktimën, në lidhje me depersonalizimin e tijë në OKB dhe BE, duke u bërë person i pabesueshëm, intrigant, megalloman, provokator dhe nxitës konflikti për të krijuar mitin e tijë, si udhëheqës nacional dhe internacional….për tu krahasuar me Ramën dhe për t’ju kundervënë atijë në çdo aspekt.
Thjesht Kurti është njeri negativ.