Nga Skënder Minxhozi/
Ka diçka të re në orët e fundit që qarkullon në rreshtat e opozitës. Pas perdeve të saj më saktë. Nuk ka lidhje me fjalimet tashmë të lodhura të rrugicës së Berishës, e as me daljet publike “me pikatore” të Lulzim Bashës i cili gjen kohë për të propozuar që të furnizojmë Kosovën me armë, por jo që të shpjegojë idetë e tij mbi atë që ndodh aktualisht në Shqipëri. Informacionet që qarkullojnë pas kuintave të opozitës dhe që herë pas herë dikush del e i hedh nëpër studiot televizive, flasin për një dëshirë në rritje të grupimeve që përbëjnë sot PD, për të gjetur një kandidaturë alternative për vitin 2025. Një kandidat për kryeministër që do të provonte të bashkonte partinë dhe të tejkalonte krizën e prodhuar nga kundërvënia arkaike mes Rithemelimit dhe partisë së vulës.
Me fjalë të tjera po përflitet se më në fund, dy vjet pasi në PD ka plasur sherri mes dy gjelave, dikush brenda partisë po fillon të mendojë për elefantin në mes të dhomës: për dikë që të mos quhet Sali Berisha apo Lulzim Basha dhe që do të marrë zyrën më të lartë të opozitës. Gosipi në lidhje me këtë temë shkon aq larg saqë thuhet se tashmë profili (e ndoshta edhe emri konkret) janë gjetur.
Mbetet të shihet sesa e vërtetë do të rezultojë kjo pistë e re e përfolur zhvillimesh, ndërkohë që s’dihet sesa Berisha nga maja e dritares dhe Basha nga zyra e tij e përshtatur, do të jenë të gatshëm të ndjekin këtë skript për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Për momentin as njëri, as tjetri nuk duket se kanë ndërmend të lëshojnë diçka, ndërsa opozita shkon thellë e më thellë në honin që ka hapur me duart e veta.
Të njëjtin fat duket se po ndjek edhe ai që dikur ishte grupimi i tretë brenda grupit parlamentar. Një tufë burrash e grash që rezistuan me muaj të tërë mes sherrit që ndezi Berisha dhe tërheqjes në hije të Bashës. Një grupim që gradualisht ju dha forcës gravitacionale të Rithemelimit, pjesërisht për shkak të hijes së rëndë të Berishës, por edhe për shkak të rezultatit të zgjedhjeve të majit 2023, ku dyshja e politikanëve të vjetër mori gjysëm milioni vota, kurse Lulzim Basha refuzoi të zbriste në fushatë, duke marrë vetëm 40 mijë vota.
Me kalimin e muajve indi rebel i këtij sektori deputetësh erdhi duke u squllur, aq sa shprehja “as Berisha, as Basha” u zëvendësua nga slogani “Pa Berishën s’ka zgjidhje për PD”! Këta burra zëlartë po vrasin gjithë ditën mendjen sesi të marrin një mandat në zgjedhjet e ardhshme, duke kërcyer baletin laraman dhe hipokrit të atij që gjithë ditën lufton në Kuvend krah Berishës, e në darkë del në studiot televizive për të thënë se është me Amerikën dhe se ka respekt për punën e Altin Dumanit!
Kjo çorbë tashmë është bërë e pangrënshme, por mbi të gjitha s’po rezulton as fituese. Qeveria i kalon ligjet në Kuvend pa debat fare, brenda pak minutave, Basha dërgon rregullisht Alibeajn në mbledhjet e komisionit të reformës elektorale, shqiptarët vijojnë indiferencën e tyre ndaj thirrjeve të Rrugicës kurse ndërkombëtarët veprojnë si shqiptarët. Heshtin si peshku dhe ata!
Në anën tjetër PD zyrtare ndodhet gjithashtu në një pozitë që nuk ofron asnjë motiv për të qenë optimist. Basha duket rrallë në publik, a thua se ka një milion vota tashmë të sigurta pas vetes. Teoria e tij e “shishes së qumështit”, në radhë për t’u bërë një ditë kryeministër, duket se ka arritur kuota të reja rekordesh, aq sa tani duket se do të jetë në pritje të ikjes jo vetëm të Berishës së plakur, por edhe të Ramës që pret mandatin e katërt pas 16 muajsh.
Megjithatë koha bën të vetën dhe PD nuk ka më hapësirë dhe nerva të presë dy kalorësit e saj të lodhur. Prej dy vjetësh e gjysëm, nga shtatori kur Basha e pezulloi shefin e vjetër nga grupi parlamentar, të dy kanë pasur mundësi të maten, kacafyten, përgojohen e të goditen në distancë në të katër anët e këtij vendi.
Mbi të gjitha ndasitë, kërcënimet, inatet e mëritë e pengjet që kanë mes tyre, një mësim i hidhur politik ka triumfuar në trajektoren e helmët Berisha-Basha: veç e veç dhe duke u sherrosur, partia që kanë drejtuar herë njëri e herë tjetri, ka ardhur duke u bërë më e përçarë, më e dobët dhe më humbëse se ç’ishte në pranverën e vitit 2021 kur ishin nën një strehë.
PD-ja e dy kokave u provua katërcipërisht si një eksperiment i dështuar, si një gjendje që e ka bjerrë, në vend që ta kompaktësojë opozitën. Ky testim nervash në kurrizin e opozitës, që Berisha e Basha vijojnë të kryejnë të pashqetësuar, e bën çdo ditë e më imperativ rikthimin tek teza e liderit alternativ, tek figura e tretë që do të duhet të spostonte dy krerët që prodhuan këtë situatë.
Duke u rikthyer tek lajmet e fundit për një reflektim në lidhje me kandidaturën për kryeministër të vitit 2025 dhe për një PD përtej gjeneratës historike të vitit ’91 dhe asaj të KOP-it të 2005, muajt që na ndajnë nga zgjedhjet janë një sfidë dhe njëherësh edhe në shans për opozitën. Që të dalë më në fund nga rrugica klaustrofobike e Doktorit dhe nga cikli i humbjeve të Bashës. Shpesh ndiqet rruga ee gabuar sepse është edhe rruga më e lehtë. PD ka ardhur në një zgrip historik ku duhet ndjekur rruga më e vështirë. Ajo që deri më sot askush aty brenda s’ka treguar se ka kreditet dhe guximin për ta hedhur si hap.
I dashur, Minxhozi.Respekt dhe një falenderim special për artikullin…Të lutem ngrije zërin për Shqipërinë tonë të dashur,që po bëhet tokë e pushtuesve të huaj…të ngjyrave dhe racave të ndryshme…Ngrije zërin sot sa s’është vonë…Të shkruaj me dhimbje të madhe…