Mirditë | Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas po transportonte mina me telekomandë që do të shërbenin për të kryer krime kundër personit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Safe City”.
Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar i cili lëvizte me këmbë, në drejtim të qytetit, dhe kanë ndërhyrë menjëherë. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Marian Gjoka, 28 vjeç, banues në Qafë Unazë, njësia administrative Rubik, Mirditë, rezident në Malin e Zi.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në çantën e shpinës së 28-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të kryer në banesën e këtij shtetasi, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 2 minat me telekomandë, 28-vjeçari i ka siguruar në Malin e Zi, ku ishte i punësuar.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
/a.r