Nga Namir Lapardhaja
Veç të tjerash, Sali Berisha gjatë kësaj periudhe i shkaktoi dy probleme mjaft traumatike PD-së dhe opozitës:
Së pari, u vetidentifikua me PD-në, gjë që e mbylli atë në katin e 8-të dhe atë pjesë të demokratëve që e ndjek, të mblidhet poshtë pallatit të tij. Në vend që të protestojnë tek ‘shtëpia e qeverisë’, protestojnë te rrugica e Doktorit.
Ky grupim sot, ndonëse është shumë i zhurmshëm, ka akses të pakufishëm mediatik në të gjithë ekranet kryesore televizive, e ka lidhur të gjithë fatin e aksionit të vet politik me fatin penal të Sali Berishës, duke mos u marrë me asgjë tjetër veç kësaj.
Së dyti, që është edhe me traumatike për opozitën, është pushteti i pakufishëm që i kanë dhënë Edi Ramës, duke filluar nga kapja e sistemit të drejtësisë, pengmarrja e opozitës e deri te blerja e Shtëpisë së Bardhë nëpërmjet Xhorxh Sorosit.
Pra, është projektuar një super Edi Ramë, i cili jo vetëm që nuk mund të mundet dhe thyhet, por nëse paska blerë edhe Amerikën, nuk e ka hiç të vështirë që t’i blejë të gjithë në Shqipëri, çdo votues dhe çdo shqiptar, gjë që e bën të pamundur ndryshimin.
Ndaj Partia Demokratike zyrtare dhe çdo parti që e sheh veten në opozitë me pushtetin dhe të keqen, duhet ta tejkalojë këtë qasje, duke dhënë një alternativë tjetër përtej ballkonit të individëve konkret dhe duke e përshkruar Edi Ramën ashtu siç është në të vërtetë: një ngrehinë të kalbur politike dhe korruptive, i cili jo vetëm që nuk ka fuqi të mbinatyrshme për të korruptuar dhe për të blerë Amerikën dhe shqiptarët, por i cili qëndron në pushtet vetëm për shkak të inercisë dhe kësaj gjendje kaotike dhe traumatike që ka kaluar opozita gjatë kohës së marrjes me veten dhe gjatë ‘aksionit’ për të shpëtuar nga burgu ‘babën’.