Blerja e një shtëpie në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera të botës është një ndër investimet ose vetë investimi më i madh që një njeri apo një familje mund të bëjë gjatë gjithë jetës. Kjo është arsyeja që para se ta marrim përsipër këtë lloj investimi, duhet të jemi të mirinformuar dhe vigjilent në çdo hap që do të hedhim.
Shpesh ndodh që nga emocioni që jemi duke blerë një shtëpi ose edhe për çështje besimi të pakuptimtë, ndodh të anashkalojmë shumë çështje që mund të jenë thelbësore në procesin e blerjes së një shtëpie. Veç madhësisë, çmimit dhe vendndodhjes, që janë pikat e para, të rëndësishme, që duhet pyetur, ka edhe pika të tjera që mund të na shërbejnë për të bërë një rezyme të plotë të asaj çka po blejmë dhe përfitimet që do të kemi. P.sh.:
- Para se të nënshkruajmë një kontratë për blerjen e një shtëpie, duhet të sigurohemi që pronari aktual nuk e ka lënë shtëpinë si kolateral, që e ka hipotekën e shtëpisë etj. Edhe pse i zoti i shtëpisë shpesh e jep këtë informacion, është mirë që ta kontrollojmë vetë.
- Përpara se të vendosim që ta blejmë shtëpinë është mirë që ta vizitojmë atë në kohë të ndryshme të ditës. Duke qenë se impenjimet ditore na e pamundësojnë këtë gjë (shpesh), duhet pyetur pronari se sa orë në ditë i bie dielli shtëpisë. Kjo gjë përcakton, deri diku, sasinë e energjisë që mund të kursejmë gjatë ditës, për ngrohje apo për dritë.
- Tjetër gjë e rëndësishme është të kërkojmë informacion rreth punimeve apo riparimeve që janë bërë më përpara në shtëpi p.sh., për sa i përket sistemit të ngrohje/ftohjes (nëse ka), dritareve, dyerve, apo tubacioneve.
- Një nga pikat kryesore që duhet të shohim me kujdes është vendndodhja e shtëpisë dhe zhurmat rreth saj. Nëse shtëpia ndodhet në një lagje ku nuk respektohen oraret e pushimit apo muzika e lartë e lokaleve vazhdon edhe gjatë orëve të vona, mund të duket zgjidhje e mirë në fillim, por më vonë do ishte tërësisht e gabuar (të marrësh një kredi për një kohë të gjatë në vite dhe të pendohesh për zgjedhjen tënde, nuk duket dhe aq mirë).
- Është zgjidhje e mirë që para se të blejmë shtëpinë të kërkojmë librezën energjetike. Mund të kontrollojmë sa shkon mesatarisht fatura mujore e shtëpisë (sidomos nëse numri i personave që kanë jetuar aty përkon me numrin e familjes sonë). Edhe pse mund të duket si informacion jo dhe aq i rëndësishëm, është mirë të bësh një bilanc për gjithçka.
- Rrjedhjet dhe lagështia janë ndër problemet kryesore që duhet të kontrollojmë kur blejmë një shtëpi. Duhet pyetur pronari i vjetër i shtëpisë si dhe të kontrollojmë me imtësi muret dhe tavanet. Do të ishte e udhës që lidhur me këto probleme të pyesim banorët që jetojnë sipër ose poshtë (nëse ka) apartamentit që duam të blejmë.
- Para se të mbyllim një marrëveshje duhet te informohemi rreth çmimit për metër katror në zonën ku duam të marrim shtëpinë, të konstatojmë të gjitha problemet që shtëpia mund të ketë dhe si përfundim të mundohemi të negociojmë me pronarin për uljen e çmimit (nëse është e mundur).
Me anë të këtyre rekomandimeve mund të jemi më të predispozuar që të bëjmë zgjedhjet e duhura.
Arlon LIKO